SHBA, krimet e urrejtjes në nivelin më të lartë prej 12 vitesh

Amerika

SHBA, krimet e urrejtjes në nivelin më të lartë prej 12 vitesh

Më: 31 gusht 2021 Në ora: 06:27
Ilustrim

NJU JORK - Numri i krimeve të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara u rrit vitin e kaluar në nivelin më të lartë në më shumë se një dekadë, i nxitur nga një rritje e sulmeve ndaj afrikano-amerikanëve dhe viktimave me prejardhje aziatike, njoftoi FBI-ja të hënën.

Të dhënat e vitit 2020, të dërguara në FBI nga më shumë se 15'000 agjenci të zbatimit të ligjit në mbarë vendin, identifikuan 7'759 krime të urrejtjes në vitin 2020, një rritje prej 6% nga viti 2019 dhe niveli më i lartë që nga viti 2008.

Të dhënat e FBI-së tregojnë se numri i veprave penale ndaj afrikano-amerikanëve u rrit në 2'755 nga 1'930 dhe incidentet kundër aziatikëve u rritën në 274 nga 158.

Nga 7'426 veprat e krimeve të urrejtjes të klasifikuara si krime kundër njerëzve, në dallim nga krimet kundër pronës, 53.4% ishin për kanosje, 27.6% ishin për sulme të thjeshta dhe 18.1% ishin për sulme të rënda. Njëzet e dy vrasje dhe 19 përdhunime u raportuan si krime urrejtjeje.

Image

"Parandalimi dhe reagimi ndaj krimeve të urrejtjes dhe incidenteve të urrejtjes është një nga përparësitë më të larta të Departamentit të Drejtësisë", tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland. "Statistikat e Krimeve të Urrejtjes të FBI-së për vitin 2020 tregojnë nevojën urgjente për një përgjigje gjithëpërfshirëse".

Departamenti i Drejtësisë ka paralajmëruar se grupet e supremacisë së bardhë përfaqësojnë një kërcënim në rritje ndaj sigurisë, pas sulmit vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara.

Në të njëjtën kohë, raportet e sulmeve të frymëzuara nga urrejtja ndaj amerikanëve aziatikë dhe nga ishujt e Paqësorit kanë qenë gjithashtu në rritje, të nxitur nga ato që shumë thonë se ishin komentet e Presidentit të atëhershëm Donald Trump, që fajësonte Kinën për pandeminë COVID-19.

Në maj, Kryeprokurori Garland përshkroi hapa të rinj për të ndihmuar policitë e shteteve dhe ato lokale të gjurmojnë dhe hetojnë krimet e urrejtjes, të cilat historikisht kanë qenë një krim i nën-raportuar në FBI nga forcat lokale të zbatimit të ligjit, dhe ai bëri thirrje që departamenti të përshpejtojë shqyrtimin e krimeve të mundshme të urrejtjes.

Një projekt-ligj për krimet e urrejtjes për të luftuar dhunën kundër amerikanëve aziatikë kaloi në senatin amerikan në prill me një mbështetje të madhe dypartiake.

Ligji caktoi një punonjës të Departamentit të Drejtësisë për të përshpejtuar një rishikim të krimeve të urrejtjes të raportuara në polici gjatë pandemisë së COVID-19ës.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat