Pentagoni pranon se sulmi me dron në Afganistan ishte “një gabim tragjik”

Amerika

Pentagoni pranon se sulmi me dron në Afganistan ishte “një gabim tragjik”

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 23:27

Pentagoni njoftoi të premten se një analizë e brendshme arriti në përfundimin se sulmi më dron i kryer më 29 gusht kishte shkaktuar vetëm viktima civile dhe nuk kishte eliminuar një ekstremist të Shtetit Islamik siç besohej në fillim.

"Sulmi ishte një gabim tragjik," tha gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, në një konferencë shtypi të Pentagonit.

Për ditë me radhë pas sulmit të 29 gushtit, zyrtarët e Pentagonit thanë se ai ishte kryer në mënyrë korrekte, megjithëse nga sulmi ishin vrarë disa civilë, përfshirë fëmijë.

Organizatat e lajmeve më vonë ngritën dyshime në lidhje me atë version të ngjarjeve, duke njoftuar se shoferi i automjetit që ishte vënë në shënjestër, ishte një punonjës i një organizate humanitare amerikane dhe duke përmendur një mungesë provash për të mbështetur pohimin e Pentagonit se automjeti përmbante eksploziv.

Gjenerali McKenzie tha se automjeti u godit "me bindjen e sinqertë" se automjeti përbënte kërcënim.

"Tani jam i bindur se deri në 10 civilë, ndër ta deri në shtatë fëmijë, u vranë tragjikisht në atë sulm," tha gjenerali McKenzie.

"Për më tepër, ne tani vlerësojmë se nuk ka gjasa që automjeti dhe ata që vdiqën të ishin të lidhur me ISIS-K, ose se përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për forcat amerikane," shtoi ai, duke iu referuar filialit të grupit të Shtetit Islamik në Afganistan. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat