Projektpropozimi i ligjvënësve demokratë për kufizimin e pushtetit të presidentit

Amerika

Projektpropozimi i ligjvënësve demokratë për kufizimin e pushtetit të presidentit

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 22:23

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve prezantuan të martën një projektligj që kërkon kufizimin e disa kompetencve të postit të presidentit, si pjesë e disa përpjekjeve të vazhdueshme për të frenuar Shtëpinë e Bardhë gjatë kohës që Presidenti Donald Trump drejtonte vendin.

Udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve thanë se “Akti për Mbrojtjen e Demokracisë" do të rivendoste ekuilibrin e pushtetit midis degëve të ekzekutivit dhe të legjislativit, që është i përcaktuar në kushtetutën amerikane.

Ndër të tjera, do të vendoste kufizime të reja në përdorimin e faljeve presidenciale, do të ndalonte vetë-faljen dhe do të forconte masat për të parandaluar ndërhyrjen e huaj në zgjedhje ose aktivitetet e paligjshme të fushatave zgjedhore nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Projekt-ligji gjithashtu do të nxiste zbatimin e thirrjeve nga Kongresi për seanca dëgjimore, do të mbrojë inspektorët e përgjithshëm dhe grupet monitoruese si dhe do të forcojë mbikëqyrjen për rastet kur presidenti deklaron gjendjen e emergjencës.

Ndërsa Presidenti Trump pushoi nga puna disa inspektorë të përgjithshëm, grupet vëzhguese nxitën kritika kundër korrupsionit në agjencitë federale. Për të anashkaluar kontrollin e Kongresit mbi shpenzimet qeveritare, zoti Trump deklaroi gjendjen e emergjencës në kufirin me Meksikën për të detyruar kalimin e fondeve ushtarake me qëllim ndërtimin e murit kufitar, një premtim i fushatës presidenciale.

“Ne duhet ta kodifikojmë këtë, në mënyrë që asnjë president, pavarësisht i cilës parti, të mos supozojë kurrë që ka fuqinë për të uzurpuar pushtetet e degëve të tjera të qeverisë”, tha gjatë një konference shtypi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi.

Ligjvënësi Adam Schiff, një sponsor kryesor i propozimit, tha se Shtëpia e Bardhë e Presidentit demokrat Joe Biden ishte konsultuar mbi përmbajtjen e projektligjit. Ai tha se shpresonte për një votim në Dhomën e Përfaqësuesve këtë vjeshtë.

Por nuk është e sigurtë që masa do të votohet. Demokratët kanë një epërsi të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa grupi republikan qëndron fort pas zotit Trump, i cili pritet të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2024 dhe mbetet udhëheqësi më me ndikim i partisë.

Republikanët kundërshtuan në mënyrë dërrmuese dy përpjekjet e demokratëve për fajësimin e zotit Trump - dhe hodhën poshtë një komision dypartiak për të hetuar sulmin e 6 janarit në Kapitol nga mbështetësit e zotit Trump. Ndihmësit e udhëheqësit të pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat