Nju Jork - Punonjësit e kujdesit shëndetësor përballë vaksinës me detyrim

Amerika

Nju Jork - Punonjësit e kujdesit shëndetësor përballë vaksinës me detyrim

Më: 27 shtator 2021 Në ora: 19:27
Foto ilustrim

E hëna shënoi afatin e fundit për vaksinimin kundër koronavirusit për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor në spitale dhe shtëpitë e të moshuarve në shtetin e Nju Jorkut. Personeli i kujdesit shëndetësor në objektet e tjera ka afat të vaksinohen deri më 7 tetor.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, ka thënë se do të thërrasë personelin mjekësor të Gardës Kombëtare për të mbuluar ndonjë mungesë që mund të lindë nëse punonjësit e kujdesit shëndetësor refuzojnë të respektojnë afatet e vaksinimit të detyrueshëm.

Punonjësit që refuzojnë vaksinimin pa një kërkesë të vlefshme të miratuar nga mjeku që justifikon mosvaksinimin, tha zyra e guvernatores, do të pushohen nga puna dhe nuk do të kenë të drejtë të marrin ndihmë sociale si të papunë.

Përveç Gardës Kombëtare, zyra e guvernatores tha se Nju Jorku gjithashtu mund të bashkëpunojë “me qeverinë federale për të vendosur Ekipet e Ndihmës Mjekësore për raste Fatkeqësish (DMAT) për të ndihmuar sistemet lokale shëndetësore dhe mjekësore".

“Që nga 22 shtatori, 84% e të gjithë punonjësve të spitaleve në shtetin e Nju Jorkut rezultojnë plotësisht të vaksinuar”, tha zyra e guvernatores. “Që nga 23 shtatori, 81% e stafit në të gjitha objektet e kujdesit për të rriturit dhe 77% e të gjithë stafit në qendrat për të moshuarit në shtetin e Nju Jorkut ishin vaksinuar plotësisht”.

Ndërkohë Koreja e Jugut njoftoi të hënën se në tetor, do të fillojë vaksinimin e grupmoshës nga 12 deri në 17 vjeç dhe do të ofrojë doza përforcuese për grupmoshën 75 vjeç e lart, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Programi i dozës përforcuese ka ardhur si rezultat i shtimit të infektimeve pas festës koreane treditore (Chuseok) për korrjet e vjeshtës. Rreth 85% e infektimeve të fundit rezultonin mes popullsisë së pavaksinuar plotësisht, njofton gazeta “The New York Times” të ketë thënë kryeministri i atij vendi.

Ndërkohë, një anëtar i katërt i delegacionit brazilian në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Pedro Guimaraes tha të dielën se është plotësisht i vaksinuar, asimptomatik (që nuk shfaq simptoma) dhe ka qenë në karantinë që nga e mërkura.

Drejtoresha e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, tha në programin televiziv “Face the Nation” të rrjetit CBS se fëmijët duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në festën e Halloween-it këtë vit.

Zonja Walensky gjithashtu paralajmëroi se për shkak të pandemisë, "Unë nuk do të shkoja domosdoshmërisht në një festë me shumë njerëz në Halloween, por mendoj se duhet të jemi në gjendje t'i lëmë fëmijët të marrin pjesë në grupe të vogla."

Shtetet e Bashkuara festojnë Halloween-in çdo vit në ditën e fundit të tetorit. Fëmijët vishen me kostume dhe shkojnë shtëpi më shtëpi, duke kërkuar karamele dhe ushqime të tjera.

Në fillim të vitit, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) shkroi në Twitter: “Ju nuk jeni kuaj, as lopë. Seriozisht, të gjithë. Ndaloni.”, një mesazh për njerëzit që përdorin ilaçin “ivermectin”, që sherben kundër parazitëve tek bagëtitë dhe që gabimisht po promovohej si një trajtim ndaj koronavirusit. Mesa duket jo të gjithë e kuptuan mesazhin.

Gazeta “Financial Times” njofton se FDA deri tani, këtë vit, ka marrë 49 raporte për helmime dhe reagime të tjera serioze të lidhura me përdorimin e ilaçit “ivermectin” për të trajtuar infektimet me koronavirus. Ky është dyfishi i numrit të rasteve të raportuara gjatë gjithë vitit 2020. Të paktën 14 njerëz humbën jetën mes 49 rasteve të raportuara, edhe pse nuk është e qartë nëse ato ishin të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e ilaçit “ivermectin”.

Qendra e përpunimit të të dhënave për koronavirusin në Universitetin Johns Hopkins tha të hënën se në shkallë globale, aktualisht ka afro 232 milion raste me koronavirus dhe numërohen afro 5 milionë vdekje. Më shumë se 6 miliardë vaksina janë administruar në mbarë botën, tha qendra./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat