Demokratët të ndarë për projektligjin e rëndësishëm

Amerika

Demokratët të ndarë për projektligjin e rëndësishëm

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 00:05
Senatori Bernie Sanders

Ligjvënësit kryesorë demokratë amerikanë vazhduan të kenë kundërshti të dielën se si të miratonin përmirësimet e infrastrukturës në vend dhe zgjerimin më të madh të rrjetit të sigurisë sociale në pesë dekada, por drejtuesi i krahut progresist sinjalizoi se kishte vend për kompromis.

Senatori Bernie Sanders i Vermontit ka muaj që ka nxitur një plan prej 3.5 trilionë dollarësh që kërkon veprime për kontrollin e klimës, klasa universale parashkollore, kujdes të zgjeruar shëndetësor për amerikanët e moshuar dhe më shumë. Senatori Sanders është një i pavarur që bashkohet me demokratët.

Ai tha për emisionin "This Week" të kanalit ABC, "Unë e pranoj që do të duhet të negociohet".

Ai nuk pranoi të vendosë një çmim për sa shpenzime do të arrinte kompromis, i njëjti qëndrim i mbajtur nga një mbështetëse tjetër kryesore për legjislacionin e sigurisë sociale, ligjvënësja Pramila Jayapal nga shteti perëndimor i Uashingtonit, në një intervistë për kanalin CNN.

Image
Rep. Pramila Jayapal, D-Wash

 

"Nuk ka ende asnjë shifër në tryezë që të gjithë të bien dakord," tha ligjvënësja Jayapal, por ajo shtoi se 1.5 trilionë dollarë të propozuar nga senatori demokrat i qendrës Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore është "shumë e vogël për të marrë në konsideratë përparësitë tona".

Presidenti Joe Biden, në një vizitë të rrallë në Kongres të premten për t'u takuar me anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, sugjeroi që kostoja përfundimtare mund të zvogëlohet mes 1.9 trilionë dollarë dhe 2.3 trilionë dollarëve për masën e rrjetit të sigurisë sociale, përveç legjislacionit të infrastrukturës prej një trilion dollarësh për të riparuar rrugët dhe urat e vendit që po përkeqësohen dhe për të zgjeruar shërbimin e internetit të shpejtë në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Image
Presidenti Joe Biden

 

Udhëheqësi amerikan ka vazhduar të kërkojë miratimin e të dyja pjesëve të legjislacionit në të njëjtën kohë.

Zoti Sanders tha se: “Sondazhet e shumta tregojnë se ajo që po bëjmë është pikërisht ajo që do populli amerikan. Nuk është ajo që duan interesat e parave të mëdha, nuk është ajo që duan lobistët. Është ajo që do populli amerikan, dhe ne duhet ta realizojmë këtë".

Nancy Pelosi, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, me shumicë demokrate, shtyu dy herë javën e kaluar një votim për projektligjin e infrastrukturës. Lëvizja pasoi një kërcënim nga disa dhjetëra ligjvënës progresistë për të votuar kundër, derisa ata të kishin marrë garanci se demokratët e Senatit do të miratonin gjithashtu edhe shpenzimet për rrjetin e sigurisë sociale. Zonja Pelosi tani ka caktuar afatin e 31 tetorit për përfundimin e miratimit të të dy projektligjeve.

Në Senatin e ndarë politikisht, me 50 senatorë republikanë dhe 50 demokratë, dy demokratë të moderuar, senatori Joe Manchin dhe senatorja Kyrsten Sinema nga shteti Arizona, kanë kundërshtuar koston prej 3.5 trilionë dollarësh për zgjerimin e rrjetit të sigurisë sociale që do të ishte më i madhi në Shtetet e Bashkuara që nga vitet 1960.

Të shtunën, zonja Sinema sulmoi udhëheqjen demokrate në Kongres për vonesën e votimit të projekt-ligjit për infrastrukturën javën e kaluar, duke e quajtur vendimin "të pafalshëm" dhe "thellësisht zhgënjyes".

"Udhëheqësit demokratë kanë bërë premtime kontradiktore që nuk mund të mbaheshin të gjitha - dhe, nganjëherë, pretenduan se ndryshimet e mendimeve brenda partisë sonë nuk ekzistonin, edhe kur ato mosmarrëveshje u bënë të qarta në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe publike", tha zonja Sinema.

Ajo dhe zoti Manchin kanë mbajtur të dy seanca negocimi me Presidentin Biden dhe udhëheqësit demokratë në Kongres për të provuar të zgjidhin dallimet mbi legjislacionin, por ende nuk kanë arritur një marrëveshje. Të dy kanë thënë se nuk mbështesin koston prej 3.5 trilionë dollarësh të propozuar fillimisht nga Presidenti Biden dhe të mbështetur nga demokratët progresistë përkundër opozitës së unifikuar republikane.

"Unë po dëgjoj senatorët Joe Manchin dhe Kyrsten Sinema çdo ditë për të parë se ku mund të arrijmë vijën e finishit", tha Senatori Dick Durbin i shtetit Illinoi për kanalin CNN.

Senatori Sanders mbetet optimist për miratimin përfundimtar të të dyja pjesëve të legjislacionit.

"Ne do ta fitojmë këtë", tha ai për kanalin ABC./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat