Demokratët shqyrtojnë mundësitë për rritjen e tavanit të borxhit, me shumicë të thjeshtë

Amerika

Demokratët shqyrtojnë mundësitë për rritjen e tavanit të borxhit, me shumicë të thjeshtë

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 16:27
Joe Biden

Presidenti Joe Biden tha të martën se senatorët demokratë mund të vënë në zbatim një procedurë parlamentare që synon miratimin e projektligjit mbi rritjen e tavanit të borxhit me shumicë të thjeshtë, çka do të anashkalonte në këtë mënyrë kundërshtimin e republikanëve.

“Kjo është një mundësi reale”, u tha Presidenti Biden gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen ka thënë se nëse Kongresi nuk vepron, qeveria ka të ngjarë që më 18 tetor të mos jetë në gjendje të paguajë më borxhet.

Shkuarja deri pranë kufirit, që qeveria të mos ketë mundësi të kryejë pagesat mbart rreziqet e veta. Një mosmarrëveshje lidhur me tavanin e borxhit në vitin 2011, të cilin Kongresi e zgjidhi vetëm dy ditë para se të arrihej kufiri i huamarrjes, shkaktoi një rënie të madhe të çmimit të aksioneve, si dhe bëri që për herë të parë në histori, ShBA të mos merrte vlerësimin maksimal për aftësinë e saj për të paguar borxhet.

Sipas rregullores së Senatit, nevojiten 60 vota për ngritjen e tavanin të borxhit. Senati është i ndarë 50 – 50 mes demokratëve dhe republikane dhe javën e kaluar republikanët i bllokuan dy përpjekje për të rritur kufirin e borxhit.

Miratimi i këtij ligji me një shumicë të thjeshtë, do të kërkonte ndryshimin e rregullit për të patur 60 vota pro, duke iu mundësuar demokratëve, që të anashkalojnë bllokimin e republikanëve. Por që kjo të ndodhë, duhen votat e të gjithë demokratëve pa përjashtim.

Republikani Mitch McConnell, udhëheqësi i pakicës në Senat, dëshiron që demokratët ta rrisin tavanin e borxhit pa votat e republikanëve, duke përdorur një procedurë tjetër parlamentare, të përdorur rallë, për të cilën udhëheqësit demokratë thonë se do të kërkonte kohë dhe do të shtonte pasigurinë.

“Ata kanë kohë ta bëjnë. Dhe sa më shpejt ta kuptojnë këtë, aq më mirë”, tha zoti McConnell në një konferencë shtypi të martën.

Demokrati Chuck Schumer, kreu i shumicës në Senat, i akuzoi republikanët për krijimin e krizës, ndërsa njoftoi një votim të mërkurën për rritjen e kufirit të borxhit, të miratuar tashmë nga Dhoma e Përfaqësuesve.

"Nëse republikanët votojnë JO, nëse duan vërtet të jenë pjesë e çuarjes së qeverisë në kushtet kur mund të mos jetë në gjendje të paguajë faturat, kjo është zgjedhja e tyre", tha zoti Schumer në Senat.

Borxhi aktualisht është në nivelin e 28.4 trilionë dollarëve.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur prej dekadash kufizime në huamarrje, por Kongresi gjithmonë e ka rritur tavanin e borxhit ose e ka hequr atë plotësisht për një periudhë kohe, për të parandaluar një falimentim të mundshëm, dhe shmangur një krizë financiare botërore./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat