Raporti, Trump fushatë trysnie për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve

Amerika

Raporti, Trump fushatë trysnie për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 22:53
Donald Trump

Në një raport të paraqitur nga shumica demokrate në Komisionin për Gjyqësorin të Senatit, detajohen përpjekjen e jashtëzakonshme të ish-Presidentit Donald Trump për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Sipas raportit, këto përpjekje rrezikuan ta çojnë Departamentin e Drejtësisë në prag të kaosit, duke nxitur zyrtarë të lartë të tij, si dhe në Shtëpinë e Bardhë, të kërcënonin me dorëheqje.

Raporti i publikuar të enjten ofron një pasqyrë të re të përpjekjeve të ish-presidentit republikan, ende në detyrë, për të zhbërë rezultatin si dhe mbi ndikimin që ai synonte të ushtronte ndaj departamentit, duke u kërkuar drejtuesve të tij që t’i shpallnin zgjedhjet "të manipuluara". Sipas raportit zoti Trump i kishte përçmuar zyrtarët e lartë që nuk bënë asgjë për të përmbysur rezultatin.

Veprimet e ish-presidentit kishin çuar pothuajse në një revoltë brenda departamentit. Ai ishte tërhequr vetëm pasi disa zyrtarë të lartë të tij kishin paralajmëruar për dorëheqje në masë. Një avokat i Shtëpisë së Bardhë i kishte cilësuar përpjekjet për të zhbërë rezultatin e zgjedhjeve, si një "pakt për vrasje e vetëvrasje".

"Në përpjekjen për të vendosur departamentin në shërbim të qëllimeve personale e politike, si dhe për të ruajtur kontrollin në Shtëpinë e Bardhë, Trump abuzoi rëndë me pushtetin që i jep detyra e presidentit. Ka dyshime se ai ka shkelur një ligj federal që ndalon këdo që të urdhërojë punonjësit federalë që të angazhohen në aktivitete politike”, thuhet në raport.

Hetimi i Senatit, bazuar në një rishikim të dokumenteve dhe intervistave me ish-zyrtarë, nxjerr në pah shtrirjen e fushatës së gjithanshme të zotit Trump për të qëndruar në Shtëpinë e Bardhë. Ai tregon se si kishte përfituar zoti Trump nga mbështetja e një avokati pak të njohur të Departamentit të Drejtësisë, i cili i mbështeste përpjekjet e presidentit të atëhershëm për të sfiduar rezultatin. Por në fund, thuhet në raport, zyrtarë të tjerë të lartë (të Departamentit të Drejtësisë) ishin bërë bashkë kundër tij.

Përpjekjet e zotit Trump, tashmë subjekt i një hetimi të inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, nuk patën sukses dhe zoti Biden mori zyrtarisht detyrën më 20 janar. Por pretendimet e rreme mbi zgjedhjet kanë krijuar përçarje brenda vendit dhe miliona amerikanë u besojnë pretendimeve të pabazuara në fakte, se zgjedhjet u vodhën.

Zemërimi lidhur me rezultatin e zgjedhjeve nxiti një masë mbështetësish të ish-Presidentit Trump të sulmojnë me dhunë Kapitolin më 6 janar, në një përpjekje për të bllokuar procesin e çertifikimit të rezultatit, që shpallte fitues demokratin Joe Biden. Më shumë se 630 persona janë akuzuar penalisht lidhur me këtë ngjarje, në atë që është aktpadia më e madhe në historinë e Departamentit të Drejtësisë.

Republikanët, të cilët kryesisht i kanë qëndruar besnikë zotit Trump që pas ngjarjeve në Kongres, dolën me një raport të tyre, i cili minimizon shqetësimet e ngritura nga demokratët dhe e përshkruan zotin Trump si një hero që kishte injoruar sugjerimet e avokatit Jeffrey Clark, e që kishte refuzuar të shkarkonte zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë. Në raportin e republikanëve thuhet se zoti Trump ishte i shqetësuar për sistemin zgjedhor dhe jo për veten e tij, pavarësisht se ai po luftonte hapur për të qëndruar në detyrë duke i bërë presion edhe Nënpresidentit Mike Pence që ta ndihmonte në këto përpjekje.

Raporti i demokratëve pasqyron nxitjen e fortë që zoti Trump i ka bërë Departamentit të Drejtësisë gjatë një periudhe të trazuar, në fund të dhjetorit dhe fillim të janarit, për të hetuar dyshimet për manipulim të votave si dhe për të mbështetur përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Ish-Presidenti i kishte hedhur bazat për këto përpjekje edhe para zgjedhjeve, kur sulmonte procesin e votimit me postë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat