SHBA, marrëveshje për rritjen e tavanit të borxhit

Amerika

SHBA, marrëveshje për rritjen e tavanit të borxhit

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 00:29
Mitch McConnell

Udhëheqësit e Senatit njoftuan një marrëveshje të enjten për të zgjatur autoritetin e qeverisë për të marrë hua deri në dhjetor, duke shmangur përkohësisht pamundësinë e qeverisë federale për të paguar detyrimet e saj financiare, që ekspertët thonë se do të shkatërronte ekonominë.

"Shpresa jonë është ta miatojmë këtë së shpejti", tha kreu i shumicës në Senat, Chuck Schumer të ejten. Udhëheqësi republikan Mitch McConnell, partia e të cilit kishte bllokuar masën për rritjen e tavanit të borxhit, tha se: "Senati po ecën përpara."

Udhëheqësit republikanë po punojnë për të gjetur 10 votat e nevojshme nga senatorët e partisë së tyre për të çuar përpara votimin për këtë masë. Senatori republikan John Thune nga Dakota e Jugut tha se "Në fund kjo do të arrihet, por ky do të jetë një proces i vështirë."

Me arritjen e kësaj marrëveshje, udhëheqësit republikanë dhe demokratë u tërhoqën nga një përplasje e rrezikshme mbi rritjen e tavanit të borxhit. Senatorët demokratë e pranuan një ofertë nga udhëheqësi i pakicës republikane, Mitch McConnell.

Zoti McConnell e dorëzoi ofertën e republikanëve të mërkuren, pak para se anëtarët e partisë së tij të bënin përgatitjet për të bllokuar legjislacionin afatgjatë për heqjen e kufirit të huamarrjes. Presidenti Joe Biden dhe drejtuesit e bizneseve kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me situatën që do të mund të shkaktonte mosmiratimi i masës për rritjen e tavanit të borxhit, një veprim që do ta bënte të pamundur për qeverinë që të paguante detyrimet e saj financiare, përfshirë pagat e miliona njerëzve. Ata kishin frikë se kjo do ta çonte vendin në një recesion ekonomik.

Shtëpia e Bardhë sinjalizoi mbështetjen e presidentit për marrëveshjen përmes një deklarate të lëshuar nga zëvëndës-zëdhënësja Karine Jean-Pierre, e cila thoshte se Presidenti do ta nënshkruante projektligjin për rritjen e tavanit të borxhit, nëse ai do të miratohej nga Kongresi.

Kjo i hap rrugën një beteje tjetër në dhjetor, kur kongresi do të përballet me afatin për të miratuar shpenzimet për qeverinë dhe atë të rritjes së sërishme të tavanit të borxhit. Autoriteti i tanishëm i qeverisë federale për të marrë hua skadon më 18 tetor./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat