Trump kërkon nga Kongresi që të hetojë nëse Obama ka abuzuar me pushtetin

Amerika

Trump kërkon nga Kongresi që të hetojë nëse Obama ka abuzuar me pushtetin

Më: 5 mars 2017 Në ora: 17:18
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka kërkuar nga Kongresi që të ekzaminojë nëse administrata Obama ka abuzuar me “kompetencat hetimore” gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, ka thënë sot Shtëpia e Bardhë.

Kjo deklaratë vjen një ditë pasi presidenti Trump e akuzoi ish-presidentin Barack Obama se ia ka përgjuar zyrën e tij në Nju Jork, gjatë fushatës zgjedhore por për këto akuza ai nuk dha asnjë dëshmi konkrete.

Një zëdhënës i Obamës i ka hedhur poshtë këto pretendime duke thënë se ato janë “thesht të rreme”.

Në deklaratën e 5 marsit, Sekretari për Media, Sean Spicer i është referuar raporteve të paspecifikuara për “hetime potencialisht të motivuara politkisht përpara zgjedhjeve të vitit 2016”, duke i cilësuar si “shumë shqetësuese”.

“Presidenti Donald J.Trump po kërkon që si pjesë të hetimeve të tyre për aktivitetet ruse, komiteti i Kongresit për Inteligjencë, të ushtrojnë autoritetin e tyre mbikëqyrës, për të përcaktuar nëse kompetencat hetimore të ekzekutivit janë abuzuar në vitin 2016”, ka thënë Spicer.

“Shtëpia e Bardhë dhe as presidenti nuk do të komentojnë derisa kjo çështje të shikohet”, ka shtuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat