E konfirmon Trump: SHBA dhe Gjermania, mike të ngushta

Amerika

E konfirmon Trump: SHBA dhe Gjermania, mike të ngushta

Më: 17 mars 2017 Në ora: 17:34
Takimi Turmp-Merkel në Shtëpinë e Bardhë

(E plotësuar) - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu "mbështetjen e fuqishme" të Uashingtonit për NATO-n, gjatë takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Shtëpinë e Bardhë.

Trump, megjithatë, shtoi se vendet anëtare të aleancës ushtarake duhet të paguajnë "barrën e njëjtë" për mbrojtje.

“Unë ia përsërita kancelares Merkel mbështetjen e fortë për NATO-n. Miqësia e ngushtë mes Amerikës dhe Gjermanisë është ndërtuar me anë të vlerave të përbashkëta”, theksoi Trump.

“Amerika është trajtuar padrejtësisht nga shumë shtete, dhe kjo duhet të përfundojë”, është shprehur Trump para gazetarëve.

Ai tha se e falënderon kancelaren Merkel për angazhimin e Qeverisë gjermane për të rritur shpenzimet në mbrojtje.

Trump po ashtu theksoi nevojën për "zgjidhje paqësore" të krizës në Ukrainë.

Merkel, në anën tjetër, tha se marrëdhëniet me Rusinë duhet të përmirësohen, porse situata në Ukrainë duhet të zgjidhet fillimisht.

Merkel tha se me Trumpin ka biseduar edhe për çështjen e migrimit.

Takimi Trump-Merkel pasoi një fillim gjaknxehtë të marrëdhënieve.

Prejse presidenti i ri amerikan ka marrë detyrën më 20 janar, Merkel ka folur fuqishëm në favor të politikave që Trump i ka kundërshtuar.

Merkel ka kundërshtuar deklaratat e Trumpit se NATO është një "aleancë e vjetëruar", duke thënë se "sfidat e botës sonë sot nuk mund të menaxhohen nga ndonjë shtet individual".

Merkel ka folur edhe në favor të agjendës së tregtisë multilaterale, të cilën Trump e ka vënë në pikëpyetje.

Ajo po ashtu ka thënë se "bashkëpunimi i ngushtë" midis Uashingtonit dhe Evropës duhet të bazohet në "vlera të përbashkëta", përfshirë demokracinë, lirinë dhe respektin për të drejtat dhe dinjitetin e secilit individ.

Presidenti Trump pret kancelaren Merkel në Shtëpinë e Bardhë 

Kancelarja gjermane Angela Merkel arriti të premten për vizitë në Uashington, ku për herë të parë takohet me presidentin e ri amerikan Donald Trump.

Merkel në Shtëpinë e Bardhë e priti Trump, ndërsa liderët pasi shtrënguan duart dhe pozuan me buzëqeshje për kamera, janë drejtuar në kabinetin oval, transmeton AFP.

“Presidenti dhe kancelarja do të kenë një sërë takimesh, dhe më pas do të organizojnë një tryezë të rrumbullakët për të disktuar për bizneset amerikane dhe gjermane”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer.

Në këto takime do të diskutohet rreth Bashkimit Evropian, krizës së refugjatëve, bashkëpnumin ekonomik dhe tema tjera.

Merkel para nisjes për në Amerikë kishte deklaruar se përveç Gjermanisë, në këtë takim do ta përfaqësojë edhe Evropën.

Image
Takimi Trump-Merkel
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat