FBI konfirmon hetimet për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane

Amerika

FBI konfirmon hetimet për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane

Më: 20 mars 2017 Në ora: 17:59
Drejtori i FBI-së James Comey dhe ai i NSA-së , Mike Rogers

Drejtori i FBI-së ka konfirmuar se po vazhdojnë hetimet për komunikimin ndërmjet zyrarëve rusë dhe bashkëpunëtorëve të presidentit Donald Trump.

James Comey e bëri këtë deklaratë të hënën në një seancë dëgjimore në Komitetin për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve, në njërën nga disa hetime të Kongresit që po zhvillohen për ndërhyrjet e Rusisë, gjatë fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA në vitin 2016.

Gjatë dy muajve të parë në zyrë të administratës Trump, presidenti ka qenë i ndjekur nga raportet e inteligjencës për ndërhyrje të dyshuar të Rusisë dhe nga shtypi që njoftoi se FBI është duke hetuar bashkëpunëtorët e Trumpit.

Në komentet e tij të hapjes, Comey i konfirmoi komitetit të Dhomës se hetimet e tilla ishin të vazhdueshme.

Comey nuk bëri asnjë referencë fillestare ndaj akuzave të vet Trump-it, disa javë më parë, se zyra e tij kishte qenë e përgjuar nga paraardhësi i tij, Barack Obama.

“Nuk kam asnjë informacion që mbështet postimet e presidentit në Twitter por FBI është duke e shikuar këtë çështje me kujdes”, ka thënë Comey.

Kryesuesi i Komitetit, republikani Devin Nunes, iu bashkua homologut demokrat, Adam Schiff, duke thënë se "nuk kishte përgjues fizik” në zyrat e Trumpit. Por Nunes gjithashtu sugjeroi se mund të ketë pasur lloje të tjera të vëzhgimeve të vazhdueshme.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Mike Rogers, gjithashtu është paraparë të dëshmojë përpara Komitetit të Dhomës.

Seancat dëgjimore të Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve janë të parat për përfshirjen e Rusisë në fushatën presidenciale në SHBA.

Në janar shërbimet amerikane të inteligjencës publikuan një raport duke thënë se kanë vlerësuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar një “fushatë ndikuese” me qëllim të përdorimit të hakimeve, rrjedhjeve dhe metodave të tjera për të minuar besimin në sistemin zgjedhor të SHBA-së dhe të denigrojnë kandidatën demokrate, Hillary Clinton.

Raporti thoshte se Rusia ka pasur preferencë të qartë për Trumpin.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), Mike Rogers, ka kundërshtuar fuqishëm një pretendim të administratës Trump, se NSA ka kërkuar nga homologët e tyre britanik të GCHQ, të spiunojnë Trumpin.

Zyrtarët britanikë kanë thënë se një pretendim i tillë është absurd.

“Kjo do të ishte në kundërshtim të marrëveshjes ‘Five Eyes’, që është në fuqi për dekada të tëra”, tha Rogers para komitetit, duke iu referuar një marrëveshje për bashkëpunin në mes të agjencive të inteligjencës të SHBA-së, Australisë, Kanadasë, Zelandës së Re dhe Britanisë së Madhe.

Rusia ka mohuar akuzat se ka tentuar që të ndikojë në zgjedhjet presidenciale dhe Trump po ashtu ka hedhur poshtë sugjerimet se ai apo fushata e tij kanë pasur kontakte të papërshtatshme me zyrtarët rusë.

“Demokratët e kanë sajuar këtë histori të Rusisë, për tu arsyetuar pasi kanë bërë një fushatë të keqe”, ka shkruar sot në Twtter, presidenti amerikan Donald Trump.

“Historia e vërtetë që Konregresi, FBI dhe agjencitë e tjera duhet të shikojnë, është rrjedhja e informacioneve të klasifikuara”, ka thënë Trump, në një tjetër postim në Twitter.

Këshilltari për siguri kombëtare e Trumpit, Micheal Flynn u largua nga administata në shkurt, për shkak të kontakteve me zyrtarët rusë.

Pas kësaj, Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions gjatë seancës dëgjimore të konfirmimit, ju kishte thënë senatorëve se ai nuk është takuar me asnjë zyrtarë rusë gjatë fushatës. Por ai më vonë pranoi se ishte takuar dy herë me ambasadorin rus në Uashington, dhe e përjashtoi veten nga hetimi për Rusinë.

Pretendimet për përgjim nga britanikët

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, javën e kaluar ngriti pretendimin se përgjimet ishin kryer nga agjentë britanikë, duke cituar një koment në kanalin televiziv "Fox News" nga analisti ligjor Andrew Napolitano.

Akuzat se ka pasur përgjime të Kullës Trump po hetohen në kuadër të procesit hetimor lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale që po zhvillohen nga FBI dhe ligjvënësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat