Gjykatësi Gorsuch: Jam i pavarur nga Trump

Amerika

Gjykatësi Gorsuch: Jam i pavarur nga Trump

Më: 22 mars 2017 Në ora: 17:34
Gorsuch

Në Komisionin e Senatit për Çështjet Juridike vazhdon seanca me pyetje drejtuar kandidatit për Gjykatën e Lartë, Neil Gorsuch, pas së cilës pritet që ligjvënësit të votojnë nëse do t’ia kalojnë apo jo kandidaturën e tij gjithë Senatit për votë.

Gjykatësi Gorsuch tha para komisionit se administrata e presidentit Trump nuk i ka kërkuar kurrë të bëjë premtime se ai do të mbajë qëndrime të caktuara për çështje të nxehta që mund të paraqiten në Gjykatën e Lartë në të ardhmen.

“Nuk besoj tek prova e lakmusit në rastin e gjykatësve,” tha gjykatësi Gorsuch. “Gjatë këtij procesi, askush nuk më ka kërkuar të zotohem për ndonjë gjë apo të premtoj se çfarë vendimesh do kisha marrë në këtë apo atë rast”.

“Nuk e kam të vështirë të marrë vendime për dhe kundër çdo partie politike”, shtoi ai.

Komenti i gjykatësit Gorsuch në ditën e dytë të seancës dëgjimore i parapriu pyetjeve intensive të ligjvënësve, veçanërisht atyre demokratë, në lidhje me zotimet e presidentit Trump gjatë fushatës, disa prej të cilave kanë ngjallur shumë polemika, si rikthimi i teknikave të torturës për ata që dyshohen si terroristë, ndalimi i myslimanëve për të hyrë në Shtetet e Bashkuara dhe emërimi i gjyqtarëve që do të shfuqizonin ligjin ligjin Roe v. Wade, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 1973, i cili i njeh gruas të drejtën e abortit.

“Presidenti Trump premtoi ndalimin e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara,” tha senatori demokrat Patrick Leahy, duke shtuar se një kongresmen republikan së fundmi u shpreh se gjykatësi Gorsuch do ta mbështeste këtë dekret po të miratohej si anëtar i Gjykatës së Lartë.

“Senator, njerëzit thonë gjëra qesharake,” u përgjigj Gorsuch. “Nuk do të them këtu asgjë në lidhje me vendimet e mia për çështje të debatueshme që mund të vijnë në Gjykatën e Lartë nëse bëj pjesë në këtë institucion”.

Senatorë të të dyja partive i kërkuan gjykatësit Gorsuch të komentonte lidhje me torturën.

“Në rast se Presidenti Trump po e sheh këtë seancë: nëse i torturon njerëzit, mund të fillojmë procesin e shkarkimit nga detyra”, paralajmëroi senatori republikan, Lindsey Graham i Karolinës së Jugut, përpara se t’i bënte një pyetje gjykatësit Gorsuch. “Është e qartë kjo? Në një rast të tillë, a do ndiqej penalisht presidenti?”

“Senator, nuk do të spekuloj,” u përgjigj gjykatësi Gorsuch.

“Po ai nuk është mbi ligjin,” vazhdoi senatori Graham.

“Askush nuk është mbi ligjin,” theksoi kandidati për Gjykatën e Lartë.

Neil Gorsuch dha përgjigje të tjera të ngjashme në seancën që vazhdoi gjithë ditën. Ndërsa theksoi se ligji Roe v. Wade krijoi një precedent ligjor për abortin, ai shtoi se gjykatat mund ta anullojnë këtë precedent.

Demokratët e kanë portretizuar gjykatësin Gorsuch si një jurist pro-korporatave, i cili do të mbante anë në dëm të amerikanëve të zakonshëm dhe i përmendën çështjet në të cilat ai ka dalë përkrah kompanive të mëdha kundër punonjësve të tyre.

“Çfarë garancish kemi se nuk do të anosh nga korporatat e mëdha, por do mbështesësh njerëzit e thjeshtë?” pyeti senatorja Dianne Feinstein e Kalifornisë.

“Kam marrë pjesë në 2.700 vendime gjyqësore gjatë më shumë se dhjetë vite e gjysmë punë”, u përgjigj gjykatësi Gorsuch. “Dhe nëse doni raste kur kam marrë vendime në favor të njerëzve të zakonshëm, sikurse dhe pro njerëzve të fuqishëm, mund të gjeni plot të tilla.”

Demokratët përmendën edhe rastin kur shumica republikane në Senat refuzoi kandidatin e ish-presidentit Barack Obama për të njëjtin post, gjyqtarin Merrick Garland, i cili duhej të zëvendësonte gjykatësin konservator Antonin Scalia, që u nda nga jeta në fillim të vitit të kaluar.

“Mendon se ky komision u tregua i drejtë me gjykatësin?”, pyeti senatori Leahy.

“Zoti Garland është një gjyqtar i jashtëzakonshëm,” tha kandidati Gorsuch. “Nuk dua të përzihem me politikën”.

Kandidatët për këtë post, si liberalë ashtu edhe konservatorë, historikisht gjatë seancave të tyre të konfirmimit nuk kanë pranuar të flasin për çështje ligjore të mbetura pezull. Të njëjtën gjë bëri edhe gjykatësi Gorsuch kur Senatorja Feinstein e pyeti nëse gjykata duhet të thotë fjalën e fundit për një përcaktim ekzakt mbi të drejtën e armë-mbajtjes.

“Mund të përgjigjesh me një “Po” ose “Jo”?” vazhdoi Senatorja Feinstein.

“Nuk mund (të përgjigjem thjesht me ‘po’ ose ‘jo’), megjithëse do ta preferoja,” u përgjigj gjykatësi Gorsuch.

“Edhe unë”, shtoi Feinstein.

Gjykatësi Gorsuch iu rikthye vazhdimisht konceptit themelor për një shtet me një sistem gjyqësor të pavarur, ku tre degët e qeverisjes janë qartazi të ndara. Ai theksoi gjithashtu, sipas konceptit të tij konservator për sistemin gjyqësor, se detyra e gjyqtarëve është që të zbatojnë ligjet që shkruan Kongresi dhe jo të marrin vendime nga kolltuku.

“Gjykatësit do të ishin shumë të këqinj po të luanin rolin e ligjvënësve,” tha gjykatësi Gorsuch. “Ne e mbajmë detyrën përjetë. Nuk shpëton dot nga ne... Do kishte qenë një metodë shumë e dobët e qeverisjes në një demokraci.”

Republikanët kanë një shumicë prej vetëm dy votash dhe u duhen tetë demokratë për të mbështetur kandidaturën e gjykatësit Gorsuch. Duhen tre të pestat e votave për ta kaluar kandidaturën e tij për votim në Senat.

Demokratët janë nga ana tjetër nën trysni nga aktivistët progresistë, të cilët u kërkojnë kundërshtimin e kandidaturës së gjykatësit Gorsuch, por republikanët mund të ndryshojnë rregullat e Senatit që partia e pakicës ta ketë të pamundur të bllokojë kandidaturat për Gjykatën e Lartë kur, si në këtë rast, demokratët votojnë në grup kundër gjykatësit Neil Gorsuch./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat