Nënpresidenti amerikan në Seul, paralajmëron Phenianin

Amerika

Nënpresidenti amerikan në Seul, paralajmëron Phenianin

Më: 17 prill 2017 Në ora: 16:28
Vizita e nënpresidentit amerikan Mike Pence në Azi ka për synim të tregojë pikërisht mbështetjen amerikane për aleatët dhe t’u kujtojë armiqve se administrata e Presidentit Trump nuk po ia kthen shpinën këtij rajoni të paqëndrueshëm.

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence sot paralajmëroi Korenë e Veriut që të mos verë në provë vendosmërinë dhe forcën e Shteteve të Bashkuara. Ai rikonfirmoi mbështetjen amerikane për Korenë e Jugut kundër provave me raketave dhe provave bërthamore të Veriut. Në takimin me presidentin dhe kryeministrin e Koresë së Jugut në Seul, nënpresidenti amerikan Pence dënoi provën e dështuar me raketë të Phenianit dhe përsëriti angazhimin e Uashingtonit për çnuklearizimin e gadishullit Korean.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut janë në një "lidhje të pathyeshme", tha sot në Seul nënpresidenti amerikan Mike Pence pas takimit me Presidentin dhe kryeministrin e Koresë së Jugut. Ai paralajmëroi Korenë e Veriut kundër provokimeve.

“Që nga viti 1992 Shtetet e Bashkuara dhe aleatët së bashku janë angazhuar për çnuklearizimin e gadishullit Korean. Ne shpresojmë ta arrijmë këtë objektiv në mënyrë paqësore. Por, të gjitha opsionet janë në tavolinë. Në dy javët e fundit, bota ishte dëshmitare e forcës dhe vendosmërisë së presidentit të ri në veprimet në Siri dhe Afganistan. Do të ishte mirë për Korenë e Veriut që të mos testojë vendosmërinë ose fuqinë e forcave të armatosura amerikane në këtë rajon”.

Nënpresidenti Pence, i cili sot vizitoi edhe zonën e çmiliratizuar mes dy Koreve, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut nuk do të tolerojnë prova të tjera bërthamore ose me raketa nga Pheniani.

“Gjatë 18 muajve të fundit, Koreja e Veriut ka kryer dy prova të paligjshme bërthamore, një numër të pa precedentë provash me raketa balistike, dhe madje ndërkohë që po udhëtoja drejt rajonit për këtë vizit, Pheniani kreu një provë të dështuar me raketë. Epoka e durimit strategjik ka mbaruar”.

Nënpresidenti amerikan Pence dhe Presidenti i Koresë së Jugut Hwang Kyo-ahn thanë se do të intensifikojnë bashkëpunimin ushtarak mes vendeve të tyre në përgjigje të kërcënimeve nga Pheniani.

“Kemi rënë dakord të forcojmë edhe më tej gatishmërinë e aleancës sonë në përgjigje të kërcënimeve në rritje nga Koreja e Veriut duke dislokuar më herët sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat, THAAD.”

Edhe analistët kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me ambiciet bërthamore të Phenianit. Ish ambasadori amerikan në Korenë e Jugut, Christopher Hill thotë se synimi i regjimit koreanoverior është largimi i Shteteve të Bashkuara nga rajoni.

“Ata kanë kryer mbi 25 prova me raketa. Ata po punojnë në zhvillimin e një brezi të ri raketash. Njerëzit shpesh i shohin përpjekjet e regjimit të Koresë së Veriut për të prodhuar armë bërthamore, si përpjekje për të mbijetuar. Në fakt, unë mendoj se ata janë më ambicioz. Ata e shohin këtë si një mënyrë për të ndarë Shtetet e Bashkuara nga aleatët e saj në rajon”.

Vizita e nënpresidentit amerikan Mike Pence në Azi ka për synim të tregojë pikërisht mbështetjen amerikane për aleatët dhe t’u kujtojë armiqve se administrata e Presidentit Trump nuk po ia kthen shpinën këtij rajoni të paqëndrueshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat