Mjekët në një qytet të vogël amerikan ofrojnë shërbime për refugjatët

Amerika

Mjekët në një qytet të vogël amerikan ofrojnë shërbime për refugjatët

Më: 18 prill 2017 Në ora: 07:20
ilustrim

Refugjatët shpesh vuajnë vite të tëra mungese të shërbimeve mjekësore. Duke qenë se ata vijnë nga shoqëri të dhunshme dhe represive, ata shpesh kanë nevoja të veçanta. Por, gjetja e ndihmës mjekësore në një vend të ri ku përballen me pengesa gjuhësore, sociale dhe kulturore, përbën një sfidë. Në një qytet të vogël të shtetit Virxhinia, në Charlottesville, mjekët i janë përkushtuar refugjatëve në përpjekjen e tyre për t’u bërë anëtarë të shëndetshëm dhe të pavarur të shoqërisë.

Bimal Chhetri bën kontrollin e rregullt mjekësor në Klinikën Ndërkombëtare të Familjes në qytetin Charlottesville. Vitin e kaluar, ai bëri një transplant veshke në Spitalin e Universitetit të Virxhinias, pjesë e të cilit është edhe kjo klinikë.

“Tani do të isha i vdekur pasi nuk i kisha mundësitë për dializë dhe transplant në kampin e refugjatëve”, thotë Bimal Chhetri.

Zoti Chhetri qëndroi 20 vjet në një kamp refugjatësh në Nepal, pasi u largua nga vendi i tij i lindjes, Butani.

“Isha ndër 110 mijë njerëzit që iu larguan vendit prej frikës së persekutimit”, tregon zoti Chhetri.

Lubna Abbas pati probleme të shtyllës kurrizore kur erdhi nga Iraku gjashtë vite më parë.

“Kishte ditë që nuk ecja dot. Tani mund të eci dhe të punoj. Bëj dy punë me kohë të pjesshme. Jemi mirënjohës për ndihmën në klinikë dhe për gjithçka tjetër në Shtetet e Bashkuara”, thotë ajo.

Zoti Chhetri dhe zonja Abbas janë ndër mbi 3000 refugjatë që janë vendosur në Charlottesville që nga viti 1998, nëpërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Refugjatëve. Shumica e tyre janë trajtuar në këtë klinikë që ofron të gjitha shërbimet mjekësore për ta.

Mjekja Fern Hauck, e themeloi këtë klinikë në Universitetin e Virxhinias rreth 15 vjet më parë, në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Refugjatëve dhe Departamentin e Shëndetësisë.

“Shumica e refugjatëve nuk kanë patur kujdes të mirë shëndetësor përpara ardhjes. Kështu që kur vinë kanë shumë probleme, kryesisht mjekësore dhe psikologjike. Duhet të kemi parasysh historikun e tyre kulturor, besimin dhe eksperiencat e tyre të mëparshme. Kështu që mendova se mund të bëhej kjo gjë më mirë në një vend, ku mund të trajnoja doktorë të tjerë dhe infermiere për të patur një botëkuptim më të plotë për refugjatët”, thotë doktoresha Hauck.

Gjatë vizitës së parë, mjekët kanë një përkthyes dhe zhvillojnë një konsultë një orëshe për të kuptuar më mirë rrethanat. Klinika e ofron shërbimin e përkthimit edhe nëpërmjet telefonit për vizitat pasuese.

Por, diagnostikimi dhe trajtimi janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që bëjnë doktorët për refugjatët. Pacientët me dhimbje fizike janë relativisht më të lehtë për t’u trajtuar, por pacientët me sëmundje si p.sh. hipertensioni janë më të vështirë.

“Shumë prej grave p.sh. nuk kanë bërë kurrë mamografi apo pap test, kështu që na duhet t’ua shpjegojmë përse i bëjmë. Pra, bëjmë edhe shumë informim të pacientëve”, thotë doktoresha Hauck.

Edhe më të vështira janë problemet e shëndetit mendor, si p.sh. çrregullimi post-traumatik dhe depresioni klinik, nga të cilat vuajnë shumë refugjatë.

“Mund të imagjinoni dikë që ka qenë në mesin e luftës dhe ka parë t’i vritet para syve një anëtar i familjes dhe ndoshta janë kërcënuar edhe vetë që të largohen. Pra, kanë pësuar trauma. Mund të kenë makthe, mund të kenë mendime që u rikthejnë vuajtjet. Nuk do të përmirësohen pa trajtimin e duhur”, thotë mjekja psikologe Claudia Allen.

Megjithëse trajtimi mjekësor për refugjatët është një sfidë, doktorët thonë se u jep kënaqësi.

“Qëllimi është të kemi anëtarë të shëndetshëm dhe produktivë të komunitetit dhe që ata të ndjehen të mirëpritur, të integruar dhe të kënaqur me jetën e tyre, në mënyrë që të kontribuojnë në komunitet”, thotë doktoresha Hauck.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat