Dokumentet: Flynn u paralajmërua të mos merrte pagesa

Amerika

Dokumentet: Flynn u paralajmërua të mos merrte pagesa

Më: 27 prill 2017 Në ora: 21:47
Ish këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit Trump, Michael Flynn

Sipas disa dokumentave të reja, ish këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit Trump, Michael Flynn, mori më shumë se 500 mijë dollarë nga Turqia dhe dhjetëra mijëra dollarë nga Rusia, pasi u paralajmërua në vitin 2014, të mos pranonte pagesa nga qeveritë e huaja. Gjatë këtij viti gjenerali Flynn kishte dalë në pension.

"Ne nuk kemi asnjë provë, se ai kishte marrë leje nga Sekretari i Ushtrisë dhe Sekretari i Shtetit për të pranuar pagesat e qeverive të huaja siç kërkohet nga ligji", tha të enjten ligjvënësi Elijah Cummings demokrati më lartë në komisionin e mbikqyrjes dhe reformës qeveritare së Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa publikoi dokumentet rreth zotit Flynn.

Një nga dokumentat tregon se zyra e inspektorit të përgjithshëm të Departamentit amerikan të Mbrojtjes ka nisur një hetim të sajin, për të gjetur nëse zoti Flynn kishte kërkuar leje për të pranuar pagesat nga qeveritë e huaja. Ky hetim po kryhet krahas atij që po zhvillohet nga Kongresi.

"Këto dokumente ngrejnë pyetje të mëdha për arsyen pse gjenerali Flynn i fshehu pagesat që kishte marrë nga burime të huaja, pasi u paralajmërua në mënyrë të qartë nga Pentagoni", tha ligjvënësi Cummings.

Zoti Flynn ishte paguar 45 mijë dollarë në 2015 për të marrë pjesë në 10 vjetorin e rrjetit televiziv rus të kontrolluar nga Kremlini, Russia Today krahas të tjera pagesave. Ai ishte ulur pranë Presidentit rus Vladimir Putin në një darkë festive gala të organizuar me këtë rast.

Gjenerali në pension ishte një mbështetës politik i fortë i zotit Trump gjatë fushatës zgjedhore presidenciale të vitit të kaluar. Më pas shërbeu si këshilltari kryesor i tij për sigurinë kombëtare përpara se zoti Trump ta shkarkonte në shkurt pas vetëm 24 ditëve në detyrë. Zoti Trump e largoi atë kur u mësua se zoti Flynn kishte gënjyer nënpresidentit Mike Pence dhe të tjerët për kontaktet e tij me ambasadorin rus në Uashington përpara se zoti Trump të merrte zyrtarisht detyrën.

Lidhjet ruse të zotit Flynn janë një pjesë kyçe e hetimeve të komisioneve të zbulimit të kongresit si dhe agjencive kryesore amerikane të zbatimit të ligjit si Byroja Federale e Hetimit, nisur nga detajet e përfundimeve të komunitetit amerikan të zbulimit që Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane për të rritur mundësitë e zotit Trump për të fituar.

Ligjvënësi demokrat Cummings tha se Shtëpia e Bardhë ka refuzuar kërkesat e kongresit për të kthyer dokumentat lidhur me punësimin e Flynn në Shtëpinë e Bardhë. Ato mund të hedhin dritë nëse Trump dhe zyrtarë të tjerë ishin në dijeni të pagesat që zoti Flynn kishte marrë nga Rusia dhe Turqia, kur ai u emërua në detyrën e këshilltarit për sigurinë kombëtare. Gjatë kësa jave, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se kishte dorëzuar dokumenta që lidhen me zotin Flynn tek komisionet që po hetojnë në Kongres.

Por zoti Cummings e hodhi poshtë këtë, duke shtuar "nuk e kuptoj pse Shtëpia e Bardhë po e mbulon Michael Flynnin pasi presidenti e shkarkoi atë. Nuk e kuptoj".

Zoti Cummings tha se ligjvënësi Jason Chaffetz, kryetari i komisionit të mbikqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, nuk ka e ndjekur çështjen. Ai këmbënguli që Shtëpia e Bardhë të lëshojë dokumente ose të thërritet zoti Flynn për të dëshmuar./voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat