Politika e jashtme e Presidentit Trump në ditën e 100-të të presidencës së tij

Amerika

Politika e jashtme e Presidentit Trump në ditën e 100-të të presidencës së tij

Më: 29 prill 2017 Në ora: 15:24
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump shkakton ndjesi të forta, pro apo kundër. Ndërsa presidenca e tij po arrin etapën simbolike të 100 ditëve të para në një moment tensionesh ndërkombëtare, përshtypjet janë thellësisht të ndara për sa i përket efektshmërisë së politikës së tij të jashtme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Peter Heinlein, përshkruan se si nëpërmjet kritikave të ashpra për fillimet e presidencës së tij, po ravijëzohen edhe konturet e para të “doktrinës Trump”.

Dje, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson shkoi në OKB për të parashtruar politikën amerikane për sfidën më të ndërlikuar, Korenë e Veriut.

“Politika e durimit strategjik ka përfunduar. Një durim i mëtejshëm do të thotë vetëm të pranojmë një Kore Veriu bërthamore”, deklaroi Sekretari Tillerson.

Vetë Presidenti Trump nuk i ka mëshuar simbolikës së 100 ditëve të para.

“Është një standart fals, por më duhet t’ju them se askush nuk ka qenë në gjendje të bëjë çfarë kemi bërë ne për 100 ditë”, tha ai.

Presidenti e shfrytëzoi këtë simbolikë nëpërmjet artikulimit nga shefi i stafit, Reince Priebus, të një “Doktrine Trump”. Për Lindjen e Mesme, zoti Priebus tha se SHBA-ja nuk është e interestuar për një luftë tokësore. Por, Uashingtoni do të veprojë për të kufizuar lëvizjet e kundërshtarëve, si Presidenti sirian Bashar al-Assad. Gjithashtu, do të jetë prioritet eliminimi i ISIS-it.

Kritikët e kanë sulmuar egërsisht Presidentin Trump për gabimet në hapat e para të politikës së tij të jashtme. Ai u tërhoq dukshëm nga premtimet e tij gjatë fushatës për një tërheqje nga NATO, apo për klasifikimin e Kinës si një vend që manipulon monedhën.

“Mendoj se aspekti më i mirë i 100 ditëve të tij është që e kuptoi se pozicionet që kishte marrë gjatë fushatës nuk ishin praktike në shumicën e rasteve dhe se duhej të rimendonte përqasjet ndaj vendeve si Rusia dhe Kina”, thotë dekani i Universitetit Amerikan, James Goldgeier.

Richard Fontaine, ish-këshilltar i Senatorit McCain për politikën e jashtme, ja atribuon një pjesë të zhvendosjeve në politikën e jashtme të zotit Trump taktikës për çorientim të kundërshtarëve. Por, ai thotë se kjo paparashikueshmëri çorienton edhe miqtë e Amerikës.

“Aleatëve nuk u pëlqen paparashikueshmëria, e cila nuk është një ide e mirë kur bëhet fjalë për parandalim”, thotë ai.

Senatori McCain, i cili është përplasur me Presidentin për shumë çështje, ka lavdëruar megjithatë ekipin e tij të politikës së jashtme, ndër ta Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, H.R. McMaster.

“Ky ekip i sigurisë kombëtare është më i miri pasi përbëhet nga njerëz që kanë marrë pjesë në luftëra ose kanë qenë të angazhuar në udhëheqje gjatë 15 viteve të fundit”, tha Senatori McCain.

Megjithatë, analistët kanë nervozitet se si mund të menaxhojë një president impulsiv pika të nxehta si Korea e Veriut.

Pas 100 ditësh, ka një ndjesi të përgjithshme se skenarët më të frikshëm nuk kanë ndodhur ende.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat