Trump: Do të takohesha me Kim Jong Un nën rrethana të drejta

Amerika

Trump: Do të takohesha me Kim Jong Un nën rrethana të drejta

Më: 1 maj 2017 Në ora: 22:09
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump i tha agjencisë Bloomberg News se është i hapur për takim me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ‘nën rrethana të caktuara”, ka bërë të ditur Reuters.

“Nëse do të ishte e përshtatshme për mua që të takohesha me të absolutisht se do ta bëja. Do të isha i nderuar”, tha Trump në intervistë për Bloomberg dhe shtoi se “takimi do të bëhej nën rrethana të caktuara”.

Trump në një intervistë për Reuters, një javë më parë tha se Kim Jong Un është bërë lider i Koresë Veriore në moshë shumë të re.

“I kishte 27 vjet kur i vdiq i ati, dhe ai mori pushtetin, Në këtë moshë sigurisht nuk e kishte lehtë. E dini, kishte shumë gjeneralë dhe njerëz të tjerë që do të donin të bënin atë që ai e bën. Kam thënë edhe më parë, e them edhe tani, nuk është pse po ia numërojë meritat, por e pranoj se e kishte vështirë. Nuk e di nëse është racional apo jo, por po shpresoj se është”, tha presidenti Trump.

Që atëherë ai tha se kishte rrezik për konflikt me Korenë e Veriut dhe se dëshiron që ta zgjidh problemin në mënyrë diplomatike

“Po ekziston shansi që të futemi në një konflikt të madh me Korenë e Veriut, absolutisht”, tha ai duke e cilësuar si shqetësimin më të madh botëror në këtë moment.

Kim asnjëherë nuk është takuar me një burrështetas të huaj që kur ka marrë pushtetin në vitin 2011 në Korenë Veriore.

Tensionet në gadishullin Korean u rritën me retorikën e Koresë Veriore dhe me paralajmërimet e saj se mund të përgatis lansimin e një rakete me rreze të gjatë ose testin e gjashtë bërthamor, ndërkohë që Washingtoni ka refuzuar që të përjashtojë sulmin ushtarak si një përgjigje ndaj këtyre kërcënimeve.

Koreja e Veriut e testoi të shtunën pa sukses një raketë balistike.

Për shkak të këtyre provave bashkësia ndërkombëtare i ka vënë sanksione Koresë Veriore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat