Dhoma e Përfaqësuesve miraton projekt-ligjin për kujdesin shëndetësor

Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve miraton projekt-ligjin për kujdesin shëndetësor

Më: 4 maj 2017 Në ora: 21:23
Dhoma e Përfaqësuesve

Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan miratoi me një rezultat të ngushtë, 217 vota pro dhe 213 kundër për projekt-ligjin republikan për të shfuqizuar disa klauzola dhe për të zëvendësuar disa të tjera nga ligji Obamacare për kujdesin universal shëndetësor të miratuar gjatë administratës Obama.

Presidenti Donald Trump postoi një koment në Twitter “Republikanët do të zhvillojnë një konferencë të madhe për shtyp” në Shtëpinë e Bardhë pas votës.

Gjashtë javë pasi tentativa dështoi, ligjvënësit debatuan për disa orë meritat e propozimit për të shtuar një shumë modeste prej 8 miliardë dollarësh për të ndihmuar pacientët me probleme shëndetësore ekzistuese që të mos humbasin sigurimet shëndetësore. Pas bisedimeve me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, dy republikanë të moderuar me peshë në Dhomën e Përfaqësuesve, Fred Upton dhe Billy Long ndërruan mendje dhe vendosën të mbështesin qëndrimin e partisë së tyre për të ndryshuar Obamacare.

Me rëndësi ishte ndryshimi i qëndrimit të ligjvënësit Upton, pasi ai është një zë i respektuar për çështjet e kujdesit shëndetësor.

Ligjvënësit republikan David Brat iu drejtua pyetja të enjten nëse ishte i shqetësuar që miliona amerikanë do të binin në vështirësi të papërballueshme financiare nëse humbisnin mbulimin e sigurimeve shëndetësore, që parashikohet të ndodhë sipas një analize të Zyrës së Kongresit për Buxhetin. “Kam shqetësim të madh që njerëzit po falimentojnë pasi ky vend ka marrë rrugën drejt socializmit dhe po i largohet tregut të lirë”- tha ligjvënësi.

Senati amerikan duhet të hedhë në votë ndryshimet në ligjin Obamacare, ku fati i propozimit mbetet i paqartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat