SHBA, Yates dëshmon për kontaktet e z. Flynn me rusët

Amerika

SHBA, Yates dëshmon për kontaktet e z. Flynn me rusët

Më: 8 maj 2017 Në ora: 22:45
Zonja Yates tregoi për bisedën e saj më 26 janar me Shtëpinë e Bardhë, të cilën e paralajmëroi për kontaktet e këshilltarit të sigurimit kombëtar Michael Flynn me ambasadorin rus në Uashington Sergej Kislyak.

Në SHBA, një hetim i FBI-së si dhe hetimet e Kongresit rreth kontakteve të fushatës së zotit Trump me Rusinë nuk po i ndahen administratës, megjithëse kanë kaluar rreth katër muaj nga fillim i presidencës Trump.

Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur e ka hedhur poshtë këtë histori si “lajm të rremë”, por hetimet nuk po japin shenja se mund të përfundojnë shpejt.

Një nënkomision Juridik i Senatit dëgjoi të hënën ish-prokuroren e përgjithshme Sally Yates, e cila u shkarkua në ditët e para të administratës Trump, si dhe ish-drejtorin e zbulimit kombëtar James Clapper, në kohën e Presidencës Obama.

Zonja Yates tregoi për bisedën e saj më 26 janar me Shtëpinë e Bardhë, të cilën e paralajmëroi për kontaktet e këshilltarit të sigurimit kombëtar Michael Flynn me ambasadorin rus në Uashington Sergej Kislyak.

Ajo tha se kishte patur dy takime dhe një telefonatë me këshilltarin juridik të Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn lidhur me shqetësimet se ish-këshilltari i sigurimit kombëtar Michael Flynn mund të bëhej objekt shantazhi nga rusët.

Zonja Yates tregoi se i kishte thënë zotit McGahn se rusët ishin në dijeni për atë që kishte bërë zoti Flynn dhe se rusët e dinin që gjenerali Flynn kishte mashtruar nënpresidentin dhe të tjerët për atë që kishte bërë. Zonja Yates nuk specifikoi se për çfarë konkretisht ishte fjala.

Ajo tha se ia kishte dhënë këtë informacion Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Donald Trump në mënyrë që ai të mund të ndërmerrte veprimet e duhura.

Zonja Yates tha se ishte shqetësues fakti që rusët kishin ndikim tek zoti Flynn.

Gjithashtu të hënën, tre ish-zyrtarë të administratës Obama thanë se ish Presidenti e kishte paralajmëruar zotin Trumpin që të mos e merrte si këshilltar zotin Flynn. Paralajmërimi ishte bërë gjatë një takimi që ajo pati me të në Zyrën Ovale menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit.

Ish-zyrtarët thonë se zoti Obama ngriti pranë zotit Trump shqetësimet e përgjithshme rreth gjeneralit Flynn dhe i tha presidentit të ardhshëm se mund të gjendeshin njerëz më të mirë për postin e këshilltarit të sigurimit kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat