Shtëpia e Bardhë “ka qenë në dijeni” për kontaktet e Flynnit me rusët

Amerika

Shtëpia e Bardhë “ka qenë në dijeni” për kontaktet e Flynnit me rusët

Më: 9 maj 2017 Në ora: 07:35
Ish-ushtruesja e detyrës së prokurores së përgjithshme të SHBA-së, Sally Yates, dhe ish-drejtori i inteligjencës kombëtare, James Clapper

Një ish-zyrtare e Departamentit amerikan të Drejtësisë tha se ka paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë në muajin janar, se këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Donald Trump është në rrezik për t’u shantazhuar nga Rusia.

Sally Yates, ish-ushtruese e detyrës së prokurores së përgjithshme, i bëri komentet gjatë dëshmisë përpara një nënkomisioni për drejtësi të Senatit.

Paneli ishte njëri prej disave që janë duke hetuar shkallën e lidhjeve midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë. FBI po ashtu është duke kryer hetimet e veta.

Fokus kryesor i seancës dëgjimore të Senatit ka qenë këshilltari i parë i Trumpit për siguri kombëtare, Michael Flynn, i cili është detyruar të japë dorëheqje në muajin shkurt, pasi ka keqinformuar zyrtarët e administratës për kontaktet e tij me Sergei Kislyakun, ambasador i Rusisë në SHBA.

Pas njoftimeve të mediave për ndërveprimet e Flynnit me Kislyakun, nënpresidenti amerikan, Mike Pence, e ka mbrojtur publikisht Flynnin.

Yates, e cila ka shërbyer si prokurore në administratën Trump vetëm disa ditë, meqë është shkarkuar nga detyra, u tha senatorëve se pas inaugurimit të presidentit në janar, ajo e ka paralajmëruar këshillin ligjor të Shtëpisë së Bardhë – dy herë personalisht dhe një herë përmes telefonit – për kontaktet e Flynnit me zyrtarët rusë.

“E kemi ndjerë se është e rëndësishme që ta kalojmë këtë informacion në Shtëpinë e Bardhë, pjesërisht pasi nënpresidenti po bënte deklarata të rreme për publikun”, tha Yates.

“Rusët mund të përdorin materialin, informacionin komprometues në mënyra të ndryshme, nganjëherë hapur, nganjëherë tërthorazi. Ju nuk dëshironi që ai person të jetë në një pozitë, ku rusët mund të kenë përsëri ndikim mbi të”, tha Yates.

Ajo shtoi se biseda e fundit që ka pasur me zyrtarët ligjorë të Shtëpisë së Bardhë ka qenë më 26 janar, dy ditë pasi Flynn është intervistuar nga FBI për komunikimet e tij me rusët.

ImageMichael Flynn

Flynn ka dhënë dorëheqje rreth dy javë më vonë, më 13 shkurt.

Yates, zyrtare e emëruar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, është shkarkuar nga Trump pasi ka refuzuar të mbrojë një ndalesë udhëtimi, që prekte shtatë vende me shumicë myslimane.

Pas seancës dëgjimore, Trump, përmes një postimi në Twitter, mohoi ndonjë bashkëpunim midis ndihmësve të tij dhe Rusisë.

“Historia e fshehtë Rusi-Trump është një mashtrim total”, tha Trump.

Përpara Senatit dëshmoi edhe James Clapper, ish-drejtor i inteligjencës kombëtare, i cili ka mbikëqyrur lëshimin e një raporti në muajin janar, i cili akuzonte Rusinë për përpjekje agresive për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Clapper i tha panelit të Senatit se zyrtarët britanikë kanë ndarë informacione për lidhjet midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë, në muajt para zgjedhjeve të 8 nëntorit.

Trump ka akuzuar mediat dhe kundërshtarët e tij politikë se bëjnë përpjekje të dëmtojnë presidencën e tij me “lajme të rreme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat