Avioni rus, 6 metra larg avionit amerikan mbi Detin e Zi

Amerika

Avioni rus, 6 metra larg avionit amerikan mbi Detin e Zi

Më: 12 maj 2017 Në ora: 21:09
ilustrim

Marina e Shteteve të Bashkuara tha të premten se pak ditë më parë një avion rus fluturoi gjashtë metra nga një avion amerikan spiunazhi mbi Detin e Zi, duke shtuar se sjellja ishte profesionale.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se avioni rus reagoi me shpejtësi për të pritur avionin e marinës amerikane, P-8A Poseidon të martën në hapësirën ajrore ndërkombëtare ndërkohë që aeroplani amerikan po fluturonte pranë territorit rus.

Piloti rus iu afrua aeroplanit të spiunazhit "në një distancë të sigurt" në mënyrë që ta identifikonte atë, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, duke vënë në dukje se aeroplani amerikan ndryshoi kursin pas ballafaqimit dhe avioni rus u kthye në bazë.

Zëdhënësja e Marinës amerikane, Pamela Kunze tha në një deklaratë se përballja u bë në një mënyrë "të sigurt dhe profesionale", duke mos i kushtuar rëndësi distancës së vogël mes dy avionëve.

"Kur ballafaqohen dy mjete fluturuese, distanca, shpejtësia, lartësia, afërsia, dukshmëria dhe faktorë të tjerë janë me rëndësi nëse kemi të bëjmë me një përballje që karakterizohet si e sigurt apo e pasigurt, profesionale apo jo profesionale", tha ajo. "Çdo përballje është unike dhe nuk përkufizohet nga një faktor i vetëm".

Zonja Kunze tha se avionët dhe anijet e Marinës amerikane ndërveprojnë në mënyrë rutinë me homologët e tyre rusë në ujërat ndërkombëtare, por nuk ofroi hollësi të mëtejshme në lidhje me përballjen e së martës.

Ky është shebulli më i fundit i një seri incidentesh kur avionë rusë e amerikanë kanë fluturuar shumë pranë njëri-tjetrit. Në shkurt, katër aeroplanë rusë fluturuan afër një destrojeri të marinës amerikane në Detin e Zi, në një moment vetëm 91 metra larg anijes amerikane.

Muajin e kaluar, ushtria amerikane interceptoi dy aeroplanë bombardues rusë në hapësirën ajrore ndërkombëtare afër brigjeve të Alaskës. Kjo përballje në mënyrë të ngjashme u cilësua si "e sigurt dhe profesionale" nga ana e Marinës amerikane./Voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat