Rishfaqen marrëdhëniet e acaruara mes medias dhe Shtëpisë së Bardhë

Amerika

Rishfaqen marrëdhëniet e acaruara mes medias dhe Shtëpisë së Bardhë

Më: 31 maj 2017 Në ora: 18:40
Sekretari i Shtypit, Sean Spicer

Disa ditë pas kthimit të presidentit Donald Trump nga udhëtimi i parë jashtë vendit, marrëdhëniet e acaruara mes medias dhe Shtëpisë së Bardhë dolën përsëri në pah. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer ndërpreu papritur konferencën e parë të shtypit pas udhëtimit, pasi iu dha leksione përsëri gazetarëve mbi mënyrën e trajtimit të ngjarjeve që kanë të bëjnë me presidentin. Kjo ndodh ndërsa qarkullojnë zëra rreth një ndryshimi të shpejtë të punonjësve të zyrës së shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Menjëherë pas përfundimit të atij që Shtëpia e Bardhë e sheh si një udhëtim të suksesshëm jashtë vendit… një kujtesë e problemeve me të cilat përballet Donald Trumpi në vend.

Shtëpia e Bardhë shmangu pyetjet rreth dhëndrit dhe këshilltarit të zotit Trump, Jared Kushner… i cili njoftohet të ketë diskutuar për krijimin e kanaleve sekrete të komunikimit me Rusinë para se presidenti të merrte postin.

Sekretari i Shtypit, Sean Spicer nuk pranoi t’i konfirmojë apo mohojë këto njoftime, duke sugjeruar se ato nuk ishin të besueshme.

“Pyetja juaj supozon fakte që nuk janë të vërtetura nga asgjë tjetër veçse burime anonime që janë bërë publike deri tani.”

Historia e zotit Kushner doli gjatë udhëtimit të parë të presidentit jashtë vendit, ku ai iu dha leksion vendeve të Natos se nuk kishin shpenzuar sa duhet për mbrojtjen.

Shumë udhëheqës evropianë janë të shqetësuar rreth atyre komenteve. Përfshi kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila tha këtë javë se “koha kur mund të mbështetemi plotësisht tek të tjerët… pothuajse ka marr fund.”

Komenti shihet nga disa si një provë se Gjermania, nuk i beson më Shteteve të Bashkuara si aleat. Por Shtëpia e Bardhë e interpreton këtë si një fitore.

“Është shumë mirë. Është ajo që kërkoi presidenti. Ai bëri thirrje për ndarjen e barrës financiare.”

Zoti Spicer komentoi gjithashtu mbi njoftimet se ai dhe anëtarë të tjerë të personelit të komunikimit mund të largohen si pjesë e një riorganizimi më të gjerë të Shtëpisë së Bardhë.

Një ndryshim tjetër i mundshëm? Më pak konferenca televizive, duke e lejuar vetë presidentin të komunikojë mesazhin e tij.

“Në fund të fundit, lajmëtari më i mirë është vetë presidenti – ai gjithmonë e ka vërtetuar këtë.”

Zoti Spicer ka një marrëdhënie të debatueshme me median. Kjo ishte e dukshme të martën, kur ai qortoi gazetarët për mbulimin e udhëtimit të presidentit Trump, para se të largohej nga konferenca që zgjati vetëm 20 minuta.

“Arsyeja që presidenti është i zhgënjyer është se lakohen lajme të pavërteta, përdorimi i burimeve anonime në mënyrë të përsëritur për gjëra që nuk kanë ndodhur dhe mendoj se kjo është shqetësuese. Ju faleminderit.”

Një shenjë e mundshme kjo e nervozizmit të ekipit të komunikimit të Shtëpisë së Bardhë./voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat