Raporti i DASH: Katër vendet që dhunojnë më shumë të drejtat e njeriut

Amerika

Raporti i DASH: Katër vendet që dhunojnë më shumë të drejtat e njeriut

Më: 22 prill 2018 Në ora: 00:15
Sullivan

Shtetet e Bashkuara nxorën raportin vjetor të të drejtave të njeriut. Raporti që hartohet nga Departamenti i Shtetit rendit në kategorinë e vendeve “moralisht të dënueshme” Korenë e Veriut, Kinën, Rusinë dhe Iranin për shkak të dhunimit të vazhdueshëm që u bëjnë të drejtave të njeriut. Raporti për gjendjen e të drejtave të njeriut ghatë vitit 2017 përmend edhe përmirësime në disa vende, si p.sh. në Liberi, Uzbekistan dhe Meksikë.

Viti 2017 pati shkelje tronditëse të të drejtave të njeriut në shumë pjesë të botës. Sipas Sekretarit të Shtetit në detyrë, John Sullivan, vuajtjet e popullsisë Rohingya në Mianmar janë në krye të listës.

“Dënojmë pastrimin etnik të Rohingyave në Burma dhe mizoritë e bëra ndaj tyre. Po punojmë me partnerët për ta lehtësuar krizën. Mbi 670 mijë Rohingya janë zhvendosur drejt Bangladeshit gjatë muajve të fundit”, tha zoti Sullivan.

Zoti Sullivan veçoi gjithashtu Rusinë për abuzimet dhe sulmet, brenda dhe jashtë territorit të saj.

“Mbi të gjitha, qeveria ruse vazhdon të shtypë mendimin disident dhe shoqërinë civile, edhe kur është duke pushtuar vendet fqinje apo duke dëmtuar sovranitetin e vendeve perëndimore”, tha zoti Sullivan.

Raporti nuk mbulon situatën në Shtetet e Bashkuara, por disa gazetarë pyetën nëse dëmtohet kredibiliteti i SHBA-së nga sulmet e përsëritura verbale të Presidentit Donald Trump ndaj punonjësve të mediave. Ambasadori Michael Kozak mbrojti rolin e SHBA-së si promovuesja kryesore e të drejtave të njeriut në mbarë globin.

“Mendoj se raporti është i qartë për ato që ne i konsiderojmë kufizime të papërshtatshme ndaj lirisë së mediave. Siç i përmenda, janë shfrytëzimi i sistemit ligjor për të persekutuar punonjësit e mediave, përdorimi i forcës fizike ndaj tyre etj.; pra, nuk merremi me natyrën e debatit publik në një vend”, tha Ambasadori Michael Kozak.

Organizata e të drejtave të njeriut “Amnesty International” kritikoi ndryshimin e kapitullit të raportit për të drejtën e riprodhimit, duke fajësuar për këtë ndryshim “vlerësimin” që, sipas organizatës, ka administrata Trump për shkelës të mirënjohur të të drejtave të njeriut, si Arabia Saudite dhe Turqia. Realisht, në raport dokumentohen shkeljet e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite dhe në Turqi./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat