SHBA dhe rritja e kërcënimit detar në Atlantikun e Veriut - Bota Sot
SHBA dhe rritja e kërcënimit detar në Atlantikun e Veriut

Amerika

SHBA dhe rritja e kërcënimit detar në Atlantikun e Veriut

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 20:55
Shefi i Operacioneve Detare, Admirali John Richardson e quajti praninë ushtarake të Kinës në Atlantikun e Veriut një "dinamikë të re".

Anijet ushtarake kineze tani janë duke patrulluar në Atlantikun e Veriut dhe nëndetëset ruse po lëvizin në të njëjtat zona ujore, me një intensitet që nuk është parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, i tha Zëri i Amerikës në një intervistë ekskluzive admirali i Marinës amerikane, John Richardson.

Shefi i Operacioneve Detare, Admirali John Richardson e quajti praninë ushtarake të Kinës në Atlantikun e Veriut një "dinamikë të re".

"Madje dhe pesë vjet më parë, ne nuk kemi parë një zhvillim të tillë," tha Richardson.

Sipas admiralit amerikan, marina kineze është globale, e gatshme dhe e aftë të veprojë kudo që Pekini do të dëshironte.

"Ata sigurisht që janë në një konkurrencë në ndryshim të vazhdueshëm për ne në aspektin e kërcënimit detar", tha ai për Zërin e Amerikës.

Megjithatë, operacionet kineze pranë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara mund të mos jenë aq kërcënuese sa nëndetëset ruse që lëvizin nën sipërfaqen e oqeanit. Aleatët e NATO-s nga Amerika e Veriut deri në Evropë janë gjithnjë e më të shqetësuar rreth rritjes së aktivitetit të nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriut.

"Bëhet fjalë për shtimin më të madh të aktivitetit të vërejtur në 25 vjet," tha Richardson.

Zyrtarët amerikanë shqetësohen se Moska mund të përpiqet të përdorë nëndetëset e saj për të prerë ose përgjuar kabllot nënujore që lidhin dy kontinentet.

Flota e 2-të

Për shkak të këtyre aktiviteteve në Atlantikun e Veriut, Shtetet e Bashkuara kanë riaktivizuar kohët e fundit një komandë për të siguruar ujërat territoriale në bregdetin lindor.

Flota e dytë e Shteteve të Bashkaura ndihmon në përmbushjen e udhëzimeve të reja nën Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare të Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis, e cila përparësi kryesore të sigurisë kombëtare të Amerikës e ka bërë rivalitetin me fuqitë e tjera, në vend të terrorizmit.

Flota u çaktivizua në vitin 2011 për shkak të mungesës së fondeve që Marina të realizonte blerje. Ajo u aktivizua në Norfolk të Virxhinias më 1 korrik të këtij viti.

Admirali Richardson do të drejtojë ceremoninë zyrtare të themelimit të flotës në bordin e një aeroplanmbajtëse në Norfolk më 24 gusht.

Komandanti i Flotës së Dytë gjithashtu do të kryesojë Komandën e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Norfolk. Admirali Richardson tha se struktura e dyfishtë komanduese lejon që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të përshtaten së bashku, ndërsa përballen me intensifikimin e sfidave nga Rusia.

Zhurmuesit rusë

Ndërsa Marina amerikane po ripozicionon komandat e saj gjeografike, Admirali Richardson tha se ajo gjithashtu duhet të ruajë epërsinë në fushën e luftës së informacionit.

Marinarët amerikanë duhet të mbrojnë veten nga zhurmuesit elektronikë rusë, të ngjashëm me pajisjet e përdorura kundër trupave tokësore amerikane që operojnë në Siri.

Admirali Richardson tha se marinarët janë përballur me zhurmues elektronik rusë gjatë operimit në ujërat ndërkombëtare.

"Kjo tani po bëhet pjesë e zakonshme e punës sonë", tha ai për Zërin e Amerikës.

Admirali Richardson nuk shpjegoi se si ndikohen operacionet e marinës amerikane nga zhurmuesit. Lufta elektronike ka potencialin të pengojë funksionimin e sistemeve të navigimit dhe atyre të komunikimit.

"Këto teknologji çrregulluese mund të jenë vendimtare në luftërat e ardhshme dhe ne duhet të sigurohemi që të investojmë që të jemi të përgatitur dhe të pajisur edhe në këtë aspekt," tha Admirali Richardson.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...