Qeveria portorikane: 1427 të vdekur nga uragani Maria

Amerika

Qeveria portorikane: 1427 të vdekur nga uragani Maria

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 20:12
Porto Riko

Autoritetet në Porto Riko kanë vlerësuar se uragani Maria ka vrarë më shumë se 1,400 persona, shumë më tepër se sa numri zyrtar i vdekjeve prej 64 personash. Shifra e re përmendet në një raport drejtuar Kongresit amerikan, ku kërkohen miliarda dollarë për të ndihmuar ishullin të rimarrë veten nga stuhia shkatërruese.

Mbështetur në statistikat e raportuara për herë të parë në muajin qershor, qeveria njoftoi se nga shtatori në dhjetorin e vitit 2017, ka pasur 1,427 vdekje më shumë sesa mesatarja e së njëjtës periudhë kohore, katër vite më parë.

Në raportin drejtuar Kongresit, ku detajohet një plan rindërtimi prej 139 miliardë dollarësh, qeveria e Porto Rikos thotë se vdekjet e tjera ndodhën nga pasojat e një stuhie që çoi në një "dështim kaskadë" në infrastrukturën e të gjithë ishullit me 3.3 milionë banorë.

Uragani Maria, si dhe ai Irma dy javë më vonë, goditën fuqishëm ishullin, duke shkaktuar përmbytje masive, si dhe duke lënë shumë të njerëz të sëmurë e të moshuar në pamundësi për të marrë trajtim mjekësor.

“Efektet shkatërruese të uraganeve në shëndetin dhe sigurinë e njerëzve nuk mund të ekzagjerohen'', thuhet në raportin e qeverisë që kërkon ndihmë nga Kongresi për të ndihmuar në rindërtimin e një ishulli që po luftonte me një krizë të thellë ekonomike kur u godit nga stuhia.

Disa javë pas stuhisë, zyrtarët portorikanë njoftuan se stuhia shkaktoi 64 vdekje, shumë prej të cilave ishin pasojë e rrëshqitjeve të tokës, apo përmbytjeve. Por për një kohë të gjatë ata kanë deklaruar publikisht se shumë të tjerë vdiqën për shkak të pasojave indirekte të stuhisë së fuqishme.

Numri i saktë i viktimave ka qenë një çështje debati dhe qeveria vetë publikoi në qershor shifrën prej 1,427 personash. Por ajo ha se do të priste për ta rinovuar shifrën zyrtare në raportin e përgatitur nga universiteti Xhorxh Uashington.

Raportimi i një numri më të madh vdekjesh në raportin drejtuar Kongresit, u njoftua fillimisht nga gazeta “The New York Times”.

Shumë nga vdekjet nuk ndodhën kur filloi stuhia më 20 shtator, por në ditët dhe javët më vonë, kur ndërprerja e energjisë elektrike në ishull dhe rrugët e bllokuara nga shtyllat e energjisë elektrike si dhe mbeturinat e tjera, e bënë të vështirë lëvizjen dhe shërbimet e emergjencës nuk kishin kapacitet për ta përballuar situatën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat