Gratë që punojnë në Burgun e Guantanamos

Amerika

Gratë që punojnë në Burgun e Guantanamos

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 22:39
Anne Leanos

Në fund të janarit, Presidenti Donald Trump nxori një urdhër ekzekutiv për ta mbajtur të hapur kampin e ndalimit në Guantanamo të Kubës. 40 të burgosur vazhdojnë të jenë në Guantanamo. Në mbi 10 vjet në Guantanamo, ndaj pjesës më të madhe të tyre nuk janë ngritur akuza. Korrespondentja e Shërbimit Rus të Zërit të Amerikës, Victoria Kupchinetsky, njofton për gratë që punojnë në Guantanamo.

Nuk është e lehtë të shkosh në Guantanamo. Në fillim duhet të shkosh me avion nga Florida në bazën e marinës amerikane në Kubë, pastaj merr një traget për të përshkuar Gjirin e Guantanamos. Siguria e Gjirit bëhet e mundur nga Garda Bregdetare Amerikane, që është pjesë e Forcës së Përbashkët në Guantanamo.

“Unë udhëheq me zemër. Kështu që unë sigurohem që kur drejtoj një grup njerëzish, e bëj në mënyrë të tillë që t’i shoh para së gjithash si individë. Por, për ne misioni vjen i pari, kështu që bëhet fjalë për misioni vjen i pari, por njerëzit vlerësohen gjithmonë”, thotë Robyn Swan, e Rojës Bregdetare të Guantanamos.

Vitin e kaluar, zëvendës komandantja. Robyn Swan u vlerësua me Çmimin për Udhëheqje Frymëzuese. Gratë përbëjnë nga 5 deri në 20% të ushtrisë amerikane në varësi të degës ku shërbejnë. Këto shifra janë të vlefshme edhe në bazën e Guantanamos në Kubë.

Një oficere ka në varësi Kampin Pesë. Gazetarët nuk lejohen të filmojnë fytyrën e saj ose të pjesës tjetër të personelit, për të mbrojtur identitetin e tyre.

“Fillimisht ky kamp ishte për njerëz që rrinë në qeli të ndara. Brenda, çdo gjë është prej çeliku dhe e pashkatërrueshme. Ne ofrojmë shërbime lavanterie, por disa prej tyre lajnë rrobat vetë, kështu që u kemi krijuar mundësinë të varin rroba. Ato mund të mbajnë rreth 20 kilogramë dhe nëse janë më shumë, bien. Është një mekanizëm për të parandaluar aksidente ose lëndime të vullnetshme”, thotë ajo.

Khalid Sheikh Mohammed, si edhe katër organizatorë të tjerë të sulmeve të 11 shtatorit, janë këtu ndërsa presin gjykimin. Para dy vjetësh, ata kërkuan që të ndaloheshin gardianet gra që t’i kontrollonin ose preknin. Një gjykatës ushtarak vendosi që të ndaloheshin gratë të punonin me të ndaluarit e Guantanamos, por jo për shumë kohë.

“Për kuriozitet kontrollova në Google për infermieren e parë në Lindjen e Mesme gjatë kohës së Profetit Muhamed, çfarë bënte ajo? A kujdesej vetëm për ushtaret ? Në atë kohë nuk kishte ushtare gra, prandaj argumenti nuk vlen. Nuk është kundër fesë së tyre që të preken nga profesionistë, gra ose burra. Prandaj pretendimi i tyre është qesharak”, thotë Zak, këshilltar kulturor, në burgun e Guantanamos.

Avokatja e Qendrës për të Drejta Kushtetuese, Pardiss Kebriaei ka 10 vjet që vjen në Guantanamo, ku ka përfaqësuar tetë të burgosur. Sot klienti i saj është Sharqawi Al Hajj, nga Jemeni që mbahet prej 14 vjetësh në Guantanamo pa u akuzuar zyrtarisht. Kebriaei thotë se fakti që është grua nuk ka qenë asnjëherë pengesë në punën e saj.

“Si grua, i kam parë kolegët e mi meshkuj të komunikojnë me klinetët meshkuj. Natyrisht ka një afërsi fizike në një mënyrë vëllazërore, ndërsa mes meje dhe klientëve të mij ka një farë distance. Por, përsa i përket respektit dhe besimit, nuk kam vënë re kurrë që të qenit femër të ketë qenë pengesë”, thotë zonja Kebriaei.

Përtej mureve të burgut dhe telave me gjemba, në bazën e Marinës Amerikane, trupat që jetojnë në barrakat e vjetëruara, përpiqen ta bëjnë jetën e tyre disi komode. Gjatë fundjavave, rreshterja Marina Erickson mbledh copëra qelqi të lëmuara nga deti, në plazhet e Gjirit të Guantanamos.

“Përpiqem të gjej ngjyra të ndryshme, me këtë pjesëz krenohem, një copë qelqi blu. Por, plani është t’ia dërgoj mamasë, që t’i përdorë për kopshtin e saj. Mendoj se ajo do të bëjë diçka krijuese dhe artistike”, thotë ajo.

Lumturia më e madhe e rreshteres Erickson është vajza e saj dyvjeçare, Lucy. Ajo numëron ditët deri kur ta shohë përsëri pas dislokimit të saj, pas afro gjashtë muajsh. Përsa u takon 40 të ndaluarve që janë ende në Guantanamo, më parë ata ishin në gjendje të komunikonin me të afërmit një herë në vit me telefon. Falë përpjekjeve të avokatëve të tyre, tani ata mund ta bëjnë një gjë të tillë një herë në muaj.

“Familjet e tyre janë 3 mijë e 200 kilometra përtej oqeanit në Jemen, Pakistan ose vende të tjera. Ata nuk kanë mundur t’i prekin, t’i shohin apo edhe të jenë përtej xhamit mbrojtës për 16 vjet. Ky është kontakti i tyre i vetëm”, thotë avokatja Kebriaei.

Anne Leanos është koordinatorja e medias për Grupin e Përbashkët të Punës. Puna e saj është që ta paraqesë me një imazh pozitiv burgun para shtypit dhe publikut.

“Në përgjithësi, ne oficerët ushtarakë, kur bëjmë betimin për të mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, jemi të paanëshëm, prandaj zbatojmë vetëm urdhrat. Unë jam shumë krenare me punën e forcës sonë dhe misionit që kemi këtu”, thotë ajo.

Edhe në Guantanamo, i përcaktuar nga lufta kundërthënëse e Shteteve të Bashkuara ndaj terrorit, ku shumica e të burgosurve mbahen për një kohë të pacaktuar, gratë kanë provuar se profesionalizmi, guximi dhe ndjeshmëria nuk kufizohen nga gjinia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat