Trump lëshon deklaratë zyrtare për senatorin McCain, nuk shkon në varrim, shmang fjalën hero

Amerika

Trump lëshon deklaratë zyrtare për senatorin McCain, nuk shkon në varrim, shmang fjalën hero

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 22:49
John McCain

Shtëpia e Bardhë më në fund ka lëshuar një deklaratë zyrtare për vdekjen e senatorit John McCain. Në ditën e vdekjes, mediat amerikane njoftojnë se Donald Trump është mjaftuar me një postim në Twitter, edhe pse stafi i tij kishte përgatitur një deklaratë, por Presidenti ishte i zënë duke luajtur golf. Dy ditë pas vdekjes, Trump në një deklaratë zyrtare ka treguar se nuk do të jetë pjesë e ceremonisë së varrimit, siç edhe ka kërkuar McCain. Presidenti ka përmendur dallimet me senatorin në këtë deklaratë dhe po ashtu ka refuzuar ta quajë hero.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, më në fund ka lëshuar një deklaratë për senatorin John McCain, i cili vdiq të shtunën, dhe i cili ishte kritik i shpeshtë i tij.

“Përkundër dallimeve tona për politikat dhe në politikë, unë e respektoj shërbimin e senatorit John McCain ndaj vendit tonë dhe, për nder të tij, kam nënshkruar proklamatën për uljen e flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në gjysmështizë, deri në ditën e varrimit të tij”, ka thënë Trump në deklaratën e lëshuar në pasditen e së hënës.

“I kam kërkuar nënpresidentit Mike Pence që të ofrojë mbajtjen e një fjalimi në ceremoni, për nder të senatorit McCain, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, këtë të premte”, ka shtuar Trump.

“Me kërkesë të familjes McCain, unë po ashtu kam autorizuar transportimin ushtarak të trupit të senatorit McCain nga Arizona në Uashington DC...”, thuhet në deklaratën e presidentit amerikan.

Ai ka treguar se po ashtu ka angazhuar ushtarakë për ta mbajtur arkivolin e McCainit, dhe një bandë ushtarake për ceremoninë e varrimit të tij.

Gjithashtu, Trump ka thënë se ka urdhëruar transport me kalë dhe me qerre për McCainin gjatë ceremonisë në Akademinë Detare të Shteteve të Bashkuara.

“Përfundimisht, i kam kërkuar gjeneralit John Kelly, sekretarit James Mattis, dhe ambasadorit John Bolton, që të përfaqësojnë Administratën time në ceremonitë për të”, ka shkruar Trump.

Ndonëse Trump shkroi në Twitter të shtunën, “cicërima” e tij në rrjetin social nuk iu referua drejtpërdrejt shërbimit të McCainit ndaj vendit.

Deklarata e Trumpit vjen pasi ai nuk pranoi disa herë të hënën që të thotë diçka për McCainin, kur gazetarët e pyetën në Shtëpinë e Bardhë.

McCain nuk e ka ftuar Trumpin në funeralin e tij, të shtunën, në Katedralen Kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat