Trupi i McCain, të premten për homazhe në Kapitol

Amerika

Trupi i McCain, të premten për homazhe në Kapitol

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 22:31
Ai vdiq më 25 gusht pas një beteje të gjatë me kancerin në tru

Trupi i senatorit të ndjerë John McCain, do të vendoset të premten në sallën rrethore të Kapitolit në Uashington për homazhe, pas ceremonive të zhvilluara të enjten për nder të tij në shtetin e Arizonës, që ai përfaqësonte në Kongres që nga vitet 1980.

Në Feniks të Arizonës, senatori McCain u nderua me fjalime nga ndihmës dhe bashkëpunëtorë të tij të ngushtë.

Ish-nënpresidenti Joe Biden tha se arësyeja që vdekja e senatorit John McCain i ka prekur aq shumë njerëzit, është se ata e njihnin besimin e tij të thellë tek shpirti i Amerikës.

Zoti Biden, i cili ka shërbyer në senat bashkë me zotin McCain, por ku përfaqësonte Partinë Demokrate, rivale me Partinë Republikane të zotitt McCain, tha se ai besonte se miku dhe kolegu i tij u dha amerikanëve diçka me të cilën ata krenohen.

Ai tha gjithashtu se politika nuk ishte gjëja më e rëndësishme për senatorin e ndjerë, por ishin vlerat themelore që kishin rëndësi. McCain, - shtoi ai, - nuk mund ta duronte dot abuzimin e pushtetit kudo që e shihte, në çfarëdo forme, në çfarëdo vendi.

Ai tha se McCain mishëronte vlera themelore, duke përfshirë drejtësinë, ndershmërinë dhe respektin. Zoti Biden solli shembuj se si McCain luftonte për marrëdhënie të qytetëruara mes politikanëve edhe nëse ata nuk pajtoheshin.

Pas homazheve të premten në Kapitol, ceremonitë vazhdojnë të shtunën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, ku do të flasin edhe ish-presidentët Barack Obama dhe George W. Bush.

McCain do të varroset të dielën në Akademinë e Marinës në Anapolis të Merilendit, ku kishte kryer studimet.

Ai vdiq më 25 gusht pas një beteje të gjatë me kancerin në tru./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat