Zyrtarë të lartë të administratës mohojnë të kenë shkruar artikullin në "New York Times"

Amerika

Zyrtarë të lartë të administratës mohojnë të kenë shkruar artikullin në "New York Times"

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 21:39
Donald Trump

Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Trump, po mohojnë të jenë autorë të shkrimit anonim të gazetës New York Times, botuar të mërkurën në rubrikën e opinioneve, ku kritikohet stili i udhëheqjes së Presidentit si “meskin dhe joefektiv”.

Duke folur gjatë një vizite në Indi, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo e quajti artikullin "për të ardhur keq" dhe tha se ai i shikon si jashtëzakonisht shqetësuese "përpjekjet e medias për të minuar administratën".

Zyra e nënpresidentit Mike Pence tha se ajo qëndron“mbi këto veprime amatore”.

Drejtori i zbulimit kombëtar, Dan Coats, nxorri një deklaratë ku thuhej: “Spekullimet se artikulli redaksional në ‘New York Times’ është shkruar nga unë ose zënvendësi im, janë krejtësisht të rreme. Nuk e kemi shkruar ne”.

Të tjerë zyrtarë që mohuan të ishin ata autorët, ishin Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, Ambasadorja e OKB-së, Nikki Haley, Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin, Drejtorja e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, Sekretari i Punës, Alex Acosta dhe ai i Energjisë, Rick Perry.

Gazeta tha se autori ishte një zyrtar i lartë i administratës, puna e të cilit do të rrezikohej nëse identiteti i këtij personi do të bëhej publik.

Autori këmbëngul se impulset më të rrezikshme të presidentit, shpesh frenohen nga personeli i tij.

Autori shkruan se “mund të jetë një ngushëllim i vogë në këtë periudhë kaotike”, por do që amerikanët ta dine “se ka të rritur në sallë”.

Presidenti Trump reagoi me zemërim. Përpara se të kërkonte në Twitter që gazeta të tregojë emrin, ai u përpoq të hedhë dyshime: "A ekziston vërtet i ashtuquajturi zyrtar i lartë i administratës, apo është një tjetër burim i rremë i gazetës së dështuar New York Times?" pyeste Presidenti Trump.

"Na duhet të merremi me këtë dhe ju e dini që mediat e pandershme na bëjnë që ju njerëzit të merreni me këtë, ashtu si dhe unë. Është vërtetë një turp. Por dua të them këtë: askush nuk ka bërë atë që ka bërë kjo administratë në drejtim të realizimit të gjërave”, tha ai.

Kërkesa erdhi, pak pasi Presidenti Trump botoi një mesazh vetëm me një fjalë në Twitter: “TRADHËTI?”

Një ish-zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Obama, Ned Price, tha se presidenti mund mos jetë dakord me atë që thotë autori por se “nuk ka asgjë në atë shkrim që përmban informacion të ndjeshëm sigurie kombëtare. Kur Trump sugehron të kundërtën, bëhet i paqartë një kufi tek i cili mbështetet demokracia jonë, për të ruajtur lirinë e shprehjes”.

Zoti Trump, përveç artikullit, kritikoi edhe gazetën.

“Ata nuk e pëlqejnë Donald Trumpin dhe unë nuk i pëlqej ata sepse janë të pandershëm”, u tha presidenti gazetarëve.

Në editorial thuhet se në fillim, ishte folur për të përdorur amendamentin e 25-të të Kushtetutës – që parashikon masat për heqjen e një presidenti - por autori shton se “askush nuk donte që të shkohej në një krizë kushtetuese. Prandaj ne do të bëjmë ç’të mundemi për ta çuar administratën në drejtimin e duhur deri kur në një mënyrë, apo tjetrën të vijë fundi, sido që të vijë ky fund”.

Në opinionin anonim përmenden episode anekdotike të përfshira në librin e ri të gazetarit Bob Woodward "Frikë", ku thuhet se stafi i presidentit ka hequr dokumente të rëndësishme nga tavolina e tij që ai të mos i nënshkruante. Dje, zoti Trump e quajti në mënyrë të përsëritur librin "sajesë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat