Brazil, kandidati presidencial humbi dy litra gjak. Sulmi dënohet nga rivalët

Amerika

Brazil, kandidati presidencial humbi dy litra gjak. Sulmi dënohet nga rivalët

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 19:21
Jair Bolsonaro

Kandidati presidencial, lider sipas sondazheve të fundit në Brazil, Jair Bolsonaro ka humbur rreth 40 për qind gjak, pas përpjekjes së dështuar për vrasjen e tij në një sulm me thikë gjatë së enjtes.

Politikani i ekstremit të djathtë u sulmua gjatë një mitingu elektoral në Minas Gerais, ndërsa mjekët thonë se kishte pësuar një plagë të thellë dhe kërcënuese për jetën në bark, por tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Kandidati kontrovers fitoi mbështetje për qëndrimin e tij të ashpër kundër krimit, por irritoi njëkohësisht shumë vetë në Brazil me komentet e tij raciste dhe homofobike.

Sondazhet e fundit sugjerojnë se ai mund të fitojë shumicën e votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, në tetor, nëse ish-presidenti Luis Inacio Lula da Silva do të pengohet të garojë, por ka pak gjasa që të fitojë balotazhin.

Ish-presidenti i majtë Lula ka qenë pretendenti kryesor, por tashmë ndodhet në burg dhe ka apeluar ndalimin e garimit në Presidenciale, vendim gjykate ky që u dha pas dënimit të tij për korrupsion.

 

Drejtoresha e spitalit, Eunice Dantas u tha reporterëve këtë të premte se Bolsonaro ka humbur më shumë se dy litra gjak dhe ishte në gjendje shoku kur mbërriti. Por, tani ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe “kushte të shkëlqyera spitalore”, pasi u operua, edhe pse do të duhet të kalojë të paktën një javë i shtruar.

Familja e Bolsonaros njoftoi se thika i kishte shkaktuar një plagë 12 cm të thellë në bark. Në një video që ka qarkulluar në mediet sociale, Bolsonaro shihet teksa flet nga shtrati i spitalit, mes dhimbjeve “të padurueshme” siç i përshkruan ai, ndërsa shton se “kurrë nuk ka lënduar askënd”.

Policia ka arrestuar të dyshuarin, 40-vjeçarin Adelio Obispo de Oliveira, ndërsa po hetojnë tashmë gjendjen e tij të shëndetit mendor. Ai u rrah nga mbështetësit e irrituar të Bolsonaros, përpara se të dërgohej në paraburgim.

Të gjithë rivalët e Bolsonaros e kanë dënuar aktin si “absurd, për të ardhur keq dhe të patolerueshëm”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat