Ish-presidenti Obama bën fushatë për kandidatët demokratë

Amerika

Ish-presidenti Obama bën fushatë për kandidatët demokratë

Më: 9 shtator 2018 Në ora: 19:26
Barack Obama në një tubim të Partisë Demokrate të shtunën në Kaliforni

Ish-presidenti amerikan Barack Obama u tha të pranishmëve në një tubim të Partisë Demokrate të shtunën në Kaliforni se qeveria e Shteteve të Bashkuara “është një qeveri për të gjithë, nuk është në shitje”. Ai shtoi se çdo problem mund të zgjidhet duke punuar së bashku, nëse i qëndrojmë besnikë traditave më të mira amerikane.

Obama ka mbajtur një profil të ulët publik që nga largimi nga posti i presidentit, por me rastin e zgjedhjeve të mesmandatit që do të mbahen në nëntor, ai foli të shtunën në një tubim në Anaheim të Kalifornisë në mbështetje të kandidatëve demokratë në rrethe të fituara nga kandidatja presidenciale demokrate Hillary Clinton në vitin 2016.

“Ky është një moment i rëndësishëm në historinë tonë dhe fakti është se nëse nuk avancojmë, gjërat mund të keqësohen. Kur ka mungesa në demokracinë tonë, kur ne nuk marrim pjesë, kur ne nuk mbajmë vëmendje se çfarë ndodh, zëra të tjerë e mbushin hapësirën. Por lajmi i mirë është se pas dy muajsh ne kemi mundësinë për të risjellë pak normalitet në politikë” tha ai.

Ish presidenti u bëri thirrje mbështetësve të tij që të jenë më aktivë.

“Kërcënimi më i madh për demokracinë tonë, siç thashë dje, nuk është ... nuk është një individ, nuk është një miliarder i madh, është apatia, është indiferenca. Kërcënim është kur nuk bëjmë atë që ne duhet të bëjmë”.

Zoti Obama tha se nuk ka probleme që nuk mund të zgjidhen nëse “ne punojmë së bashku dhe i qëndrojmë besnikë traditave më të mira Amerikane”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat