Procesi për konfirmimin e Kavanaugh mbart jehonë nga e kaluara

Amerika

Procesi për konfirmimin e Kavanaugh mbart jehonë nga e kaluara

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 17:34
Brett Kavanaugh

Senati amerikan po i afrohet debatit përfundimtar për emërimin e gjyqtarit Brett Kavanaugh si anëtar i Gjykatës së Lartë të vendit. Emërimi i tij është zvarritur për shkak se një grua, Christine Blasey Ford, e ka akuzuar kandidatin për sulm seksual kur ata ishin të dy adoleshentë në vitet 1980.

Kavanaugh i ka mohuar akuzat. Kjo betejë e fundit në procesin e konfirmimit sjell në mend një tjetër dramë që tronditi vendin në vitin 1991.

Rreth 27 vjet më parë, ishte profesorja e së drejtës Anita Hill që u vu në qendër të vemendjes së vendit.

"Për të treguar ç’më ndodhi, ndjeva se më duhej të thosha të vërtetën" deklaroi Anita Hill.

Zonja Hill i tha Komisionit Juridik të Senatit se kishte qenë viktimë e ngacmimeve seksuale nga Clarence Thomas, kandidat për Gjykatën e Lartë.

Kandidatura e tij ishte paraqitur nga Presidenti George Herbert Walker Bush.

Në një seancë me tone të forta emocionale, Thomas mohoi akuzat dhe dënoi hetimin që po bëhej.

"Si një amerikan zezak, ky është një linçim i teknologjisë së lartë dhe drejtohet ndaj atyre zezakëve që kanë dinjitetin të mendojnë për veten e tyre", tha Clarence Thomas.

Me vështirësi ai e mori konfirmimin për në gjykatën e lartë, por shumë gra mendonin se zonja Hill u trajtua ashpër nga komisioni i Senatit, ku të gjithë ishin meshkuj.

Tani, thuajse tre dekada më vonë, jehona e atij debati ende kumbon në lëvizjen 'Me Too' ku gra të shumta kanë dalë hapur për të denoncuar sjelljen e shumë burrave të fuqishëm.

Ja ç’thotë analisti ligjor Paul Schiff Berman.

"Mendoj se rrënjët e kësaj lëvizjeje i gjejmë edhe te zemërimi që ngjalli debati Hill-Thomas gjatë procesit të konfirmimit".

Bazuar në përvojën e saj të gjatë, zonja Hill i ka kërkuar Senatit që të hetojë plotësisht akuzat e profesores Christine Blasey Ford kundër gjyqtarit Kavanaugh.

"Flasim për një emërim të përjetshëm në gjykatën më të lartë të vendit që do të ndikojë në jetën e amerikanëve ndoshta me dekada" u shpreh Anita Hill.

Përplasja Hill-Thomas ka gjithashtu një kuptim të veçantë për senatoren demokrate Patty Murray.

"Unë jam sot senatore, për shkak të mënyrës së trajtimit të zonjës Hill në vitin 1991. Gratë po vëzhgojnë. Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri."

Republikanët duan të dëgjojnë nga profesorja Ford dhe kandidati Kavanaugh rreth sulmit seksual të supozuar.

Por ata ndjejnë gjithashtu një lojë politike të demokratëve, thotë senatori Mitch McConnell.

"Demokratja numër dy e Komisionit Juridik e dinte prej kohe çështjen, por e nxorri atë pikërisht tani. Është shumë e qartë se kjo u bë e gjitha për vonimin e procesit".

Për shumë njerëz, beteja për çështjen Kavanaugh është një tjetër kapitull që tregon se si polarizimi i politikës po paralizon Uashingtonin.

Ja ç’thotë analisti konservator Jamil Jaffer.

"Kjo është për të ardhur keq, sepse Gjykata e Lartë duhet të jetë imune ndaj këtyre gjërave. Ne duhet të konfirmojmë si anëtarë të saj njerëz që marrin 90 vota e lart në Senatin me 100 vende dhe t’i lemë të bëjnë punën, pra të mos vendosin politikisht por në bazë të ligjit.”

Dhe ndërsa Senati i ndarë politikisht përgatitet të japë gjykimin mbi kandidatin Brett Kavanaugh, shumë amerikanë kujtojnë se e kanë parë këtë dramë të luhet edhe më parë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat