Trump e mbron Kavanaugh, akuzat kundër tij "janë politike"

Amerika

Trump e mbron Kavanaugh, akuzat kundër tij "janë politike"

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 16:36
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se akuzat për sulme seksuale kundër të emëruarit të tij për gjykatës të Gjykatës Supreme, janë "krejtësisht politike".

Trump tha se gjykatësi Brett Kavanaugh "është një njeri i mirë, me të kaluar të panjollosur".

Dy gra e kanë akuzuar Kavanaugh për sjellje të keqe seksuale.

Pas Christine Blasey Ford, e cila e ka akuzuar atë për sulm seksual kundër saj në vitin 1982, Deborah Ramirez, një shoqe klase e Kavanaugh në Universitetin Yale, ka thënë se gjykatësi i ka ekspozuar organet e tij gjenitale në një festë të studentëve.

"Gjykatësi Kavanaugh është një person i shquar. Unë jam me të", tha Trump pasi mbërriti në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Akuzat e kanë shtyrë seancën e Senatit për konfirmimin e Kavanaugh, e cila ka qenë e paraparë të mbahet javën e kaluar.

Ford ka pranuar të dëshmojë para Komitetit Gjyqësor të Senatit më 27 shtator.

Posti i gjykatësit të Supremes në SHBA është i përjetshëm.

Kjo gjykatë është shpesh fjala e fundit për ligjet e diskutueshme dhe nëntë gjyqtarët e saj kanë një ndikim të madh në jetën politike amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat