SHBA, Kanadaja dhe Meksika nënshkruajnë pakt të ri tregtar

Amerika

SHBA, Kanadaja dhe Meksika nënshkruajnë pakt të ri tregtar

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 16:31
Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fotografi ilustruese

Kanadaja është rikthyer në një marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara dhe Meksikën, në orët e vona të së dielës, pas disa javësh të negociatave të hidhura e me tensione të larta.

Në një deklaratë të përbashkët, Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara për Tregti, Robert Lighthizer dhe ministrja kanadeze për Çështje të Jashtme, Chrystia Freeland, kanë thënë se marrëveshja do të “fuqizojë klasën e mesme dhe do të krijojë vende të mira dhe të paguara të punës, si dhe mundësi të reja për gati gjysmë miliardë persona që e konsiderojnë shtëpi Amerikën Veriore”.

Marrëveshja e re, e arritur vetëm pak minuta para afatit të fundit të vendosur nga Shtetet e Bashkuara, është emëruar Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA).

Ky pakt zëvendëson Marrëveshjen e Amerikës Veriore për Tregti të Lirë (NAFTA), të cilën presidenti amerikan, Donald Trump e ka quajtur katastrofë të shuarjes së vendeve të punës.

Çfarë përfshihet në marrëveshjen e re?

Ndonëse të gjitha detajet e marrëveshjes ende nuk janë bërë të ditura, pakti i ri pritet të përfshijë dispozita të reja për industrinë kanadeze të qumështit dhe eksporteve të veturave në SHBA.

Bujqit amerikanë do të kenë qasje për rreth 3.5 për qind në tregun kanadez të produkteve të qumështit, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar burime.

Kanadaja po ashtu është raportuar se ka siguruar disa masa mbrojtëse për sektorin e saj të makinave në rast të vendosjes së tarifave nga ana e SHBA-së.

Por, sipas burimeve, tarifat amerikane në çelik dhe alumin do të vazhdojnë së zbatuari tani për tani.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Truedau ka qenë i shkurtër në deklaratat e tij për këtë marrëveshje.

“Është një ditë e mirë për Kanadanë”, ka thënë Trudeau, derisa është larguar nga zyra e tij, duke paralajmëruar më shumë hollësi më vonë gjatë ditës.

“Ne kemi një marrëveshje tripalëshe. Ne e mbyllim derën e tregtisë së ndarë në rajon”, ka thënë, Jesus Seade, negociatori për Tregti i presidentit në ardhje të Meksikës, përmes një postimi në Twitter.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Qeverisë së presidentit të zgjedhur të Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, kanë kërkuar konferencë për media, për të diskutuar detajet e marrëveshjes tregtare, ditën e hënë.

Kanadaja, partneri i dytë më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara ka mbetur jashtë, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë arritur muajin e kaluar një marrëveshjepër të rikthyer në fuqi Marrëveshjen e Amerikës Veriore për Tregti (NAFTA).

Administrata e presidentit Trump ka njoftuar zyrtarisht Kongresin për marrëveshjen SHBA-Meksikë më 31 gusht.

Më pas një periudhë 90 ditore i ka dhënë mundësi presidentit në shkuarje të Meksikës, Enrique Pena Nieto të nënshkruajë marrëveshjen para se të largohet nga zyra më 1 dhjetor.

Trump ka kërcënuar se do të jetësojë marrëveshjen NAFTA, me apo pa Kanadanë.

Mirëpo, megjithatë ka qenë e paqartë nëse Trump ka pasur autoritet nga Kongresi për të zbatuar Marrëveshjen për Tregti të Lirë vetëm me Meksikën.

Disa ligjvënës kanë treguar menjëherë se janë të kënaqur që Kanadaja është rikthyer në bllokun rajonal të tregtisë.

“Jam i lumtur që administrata e Trumpit ka arritur të krijojë marrëveshje për modernizim të NAFTA-s me Meksikën dhe Kanadanë”, ka thënë senatori, Orrin Hatch.

Marrëveshja paraprake për Tregti të Lirë (NAFTA), ka hequr pjesën më të madhe të barrierave në mes të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës, mirëpo Trump dhe kritikë tjerë të këtij pakti kanë thënë se kjo marrëveshje ka shtyrë prodhuesit të largohen drejt kufirit jugor dhe të përfitojnë nga pagat e ulëta të Mesikës, duke dëmtuar vendet e punës në SHBA.

Përndryshe, presidenti Trump pati premtuar gjatë fushatës së tij presidenciale për të rishkruar NAFTA-n, apo ka deklaruar se do të tërhiqej nga ajo./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat