Bernie Sanders mirëpret rritjen e pagave në Amazon

Amerika

Bernie Sanders mirëpret rritjen e pagave në Amazon

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 22:09
Senatori amerikan, Bernie Sanders.

Senatori demokratik i Shteteve të Bashkuara, Bernie Sanders dhe kritiku i zëshëm i kompanisë Amazon, ka përshëndetuar hapin e kësaj ndërmarrjeje për të rritur pagat minimale në 15 dollarë për orë.

Ai ka thënë se edhe kompanitë tjera duhet të ndjekin këtë shembull.

“Nuk është sekret se unë kam qenë kritik i ashpër i pagave dhe praktikave të punësimit në Amazon dhe i pronarit të kompanisë, Jeff Bezos”, ka thënë Sanders në një email dërguar agjencisë së lajmeve, Reuters.

“Sot dua të lavdëroj për diçka që duhet. Korporatat tjera profitabile siç janë, ato të ushqimit, ato ajrore apo kompanitë tjera zinxhirore nuk kanë asnjë arsye pse të mos ndjekin këtë shembull”, është shprehur ai.

Nga kjo rritje pritet të përfitojnë më shumë se 250,000 punëtorë të Amazonit në Shtetet e Bashkuara, si dhe 100,000 punëtorë sezonalë, të cilët do të punësohen përkohësisht në periudhë festash.

“Ne kemi dëgjuar kritikët tanë, kemi menduar shumë se çfarë dëshirojmë të bëjmë dhe kemi vendosur të udhëheqim”, ka thënë Bezos në një deklaratë.

“Ne jemi të lumtur për këtë ndryshim dhe inkurajojmë konkurentët tanë të na bashkohen”, ka thënë ai.

Amazon, e listuar si kompania e dytë në botë pas Apple që ka kaluar shifrën e 1 trilion dollarëve në biznes, ka paguar punëtorët e saj në një mesatare prej 34,123 vitin e kaluar.

Bezos ndërkaq, sipas Forbes, është listuar personi më i pasur në botë, duke konsideruar se ka pasuri në vlerë të 150 miliardë dollarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat