Pastori Brunson në Shtetet e Bashkuara

Amerika

Pastori Brunson në Shtetet e Bashkuara

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 20:49
Pastor Andrew Brunson, center left, and his wife Norine Brunson arrive at Adnan Menderes airport for a flight to Germany after his release following his trial in Izmir, Turkey, Oct. 12, 2018,

Presidenti amerikan Donald Trump tha se do të takohet në Shtëpinë e Bardhë të shtunën me pastorin amerikan Andrew Brunson, i cili u kthye në SHBA pasi u mbajt i arrestuar në Turqi për dy vjet.

"Do të jetë e mrekullueshme të takohem me të", shkroi Trump në Twitter të shtunën në mëngjes. "Ai është një i krishterë i mirë që ka përjetuar një përvojë kaq të vështirë".

Trump falënderoi Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për kthimin e Brunsonit, i cili u lirua të premten nga një gjykatë turke. Trump vuri në dukje se SHBA nuk negociuan një marrëveshje me Turqinë për lirimin e Brunsonit, duke thënë, "Unë nuk bëj marrëveshje për pengje." Ankaraja gjithashtu ka kundërshtuar fuqimisht çdo sugjerim për një marrëveshje.

[[ https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1051114825391239169 ]]

[[ https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1051111923788513281 ]]

Lirimi i Andrew Brunson të premten shënoi fundin e një mosmarrëveshjeje të ashpër diplomatike midis Uashingtonit dhe Ankarasë. Brunson përballej me 35 vjet burg nëse do të dënohej për terrorizëm dhe akuzat për spiunazh, që Uashingtoni i quajti të pabaza.

Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve se Brunson kishte "vuajtur shumë", por tani është në "gjendje të mirë" dhe do të vizitojë së shpejti Shtëpinë e Bardhë. Në Twitter, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se administrata Trump do të vazhdojë të punojë për të sjellë në atdhe amerikanët e tjerë "të burgosur padrejtësisht".

Ushtria amerikane e çoi zotin Brunson në bazën ajrore Ramstein në Gjermani të premten për një vlerësim mjekësor përpara se të vazhdonte udhëtimin në Shtetet e Bashkuara.

Ambasadori amerikan në Gjermani Richard Grenell e përshëndeti Brunson në bazën ajrore. Ambasadori postoi një fotografi të Brunsonit në Twitter duke puthur një flamur amerikan. "Kur i tregova flamurin amerikan, ai e puthi atë menjëherë," shkroi Grenell.

Presidenti Trump u tha gazetarëve të premten se Brunson "do të shkojë në Zyrën Ovale, me shumë gjasa të shtunën".

Gjykata turke e shpalli Brunsonin fajtor të premten, por e dënoi atë me vetëm tre vjet dhe një muaj burg. Pastori kishte shërbyer dy vjet në paraburgim kështu që u lirua për kohën e kryer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat