Sekretari amerikan i Shtetit sot në Turqi për rastin e gazetarit të zhdukur

Amerika

Sekretari amerikan i Shtetit sot në Turqi për rastin e gazetarit të zhdukur

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 08:36
Mike Pompeo

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump,  deklaroi se nuk duhet nxituar për të fajësuar Arabinë Saudite lidhur me zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Ai i tha agjencisë së lajmeve AP se Rijadi ishte duke u trajtuar si "fajtor derisa të provohet se është i pafajshëm".

Trump tha gjithashtu se Princi i Kurorës Saudite, Mohammed Bin Salman,  ka mohuar të ketë dijeni se çfarë ndodhi me zotin Khashoggi.

Zyrtarët turq të paidentifikuar thonë se kontrolli në Konsullatën saudite të Stambollit dha më shumë dëshmi se ai u vra atje.

Gazetari, një kritik i udhëheqjes saudite, u pa i gjallë për herë të fundit me 2 tetor ndërsa hynte në konsullatë. Arabia Saudite ka mohuar ta ketë vrarë atë dhe fillimisht tha se u largua nga ndërtesa  shëndosh e mirë.

Megjithatë, Neë York Times raporton se 4 nga 15 njerëzit e identifikuar  nga autoritetet turke si të dyshuar në zhdukjen e z. Khashoggi kanë lidhje me princin e kurorës, ndërsa një tjetër është një figurë e lartë në Ministrinë e Brendshme të vendit.

Sipas gazetës, një prej burrave është fotografuar ndërsa shoqëronte Mbretin në vizitat e fundit jashtë vendit.

Rasti ka vënë Arabinë Saudite nën presionin e aleatëve të ngushtë.Të martën, ministrat e jashtëm të G7 i kërkuan Arabisë Saudite që të zhvillonte një hetim "transparent" në këtë çështje.

Ndërkohë, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde ishte figura më e fundit e profilit të lartë, që anulloi pjesmarrjen në një konferencë të madhe investimesh saudite që do të mbahet javën e ardhshme.

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, do të vizitojë Turqinë sot pas një takimi me mbretin saudit Salman dhe princin e kurorës të martën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat