“Mos ua mësyj zgjedhjeve amerikane”

Amerika

“Mos ua mësyj zgjedhjeve amerikane”

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 14:34
Këshilltari për siguri kombëtare, John Bolton gjatë konferencës për media në Moskë.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, u tha zyrtarëve të lartë në Moskë se ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara ka dështuar dhe se kjo duhet të shërbejë si mësim për Kremlinin: “mos ua mësyj zgjedhjeve amerikane”.

Duke folur pas takimit në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, Bolton tha se nuk ka dëshmi se operacionet e dyshuara ruse kanë pasur ndonjë efekt në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, por tha se ato kanë krijuar mosbesim ndaj Rusisë në Uashington.

"Fakt është se rezultati do të ishte i njëjtë nga të gjitha provat që kemi," tha Bolton.

"Ajo që ndërhyrja bëri, ishte krijimi i mosbesimit dhe antipatisë në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu e bëri pothuajse të pamundur për dy vjet që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të bëjnë ndonjë përparim. Kjo është një humbje e madhe për të dyja vendet, veçanërisht për Rusinë", tha Bolton.

“Mësimi është: mos ua mësyni zgjedhjeve amerikane”, theksoi ai.

Rusia e ka mohuar vazhdimisht çdo ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA, megjithëse Putin ka sugjeruar se disa hakerë "patriotë" mund të jenë përfshirë.

Prokurorët amerikanë kanë akuzuar një grup agjentësh të Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake të Rusisë për piraterimin e kompjuterëve të Partisë Demokrate, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016. Demokratët thonë se sulmet e tilla kibernetike i kanë dëmtuar mundësitë e kandidates së tyre, Hillary Clinton, për t’u zgjedhur presidente.

Këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller, ka akuzuar edhe 13 rusë për punën e tyre në të ashtuquajturën Agjenci e Kërkimeve në Internet, me seli në Shën Petersburg, e cila thuhet se ka shpërndarë dezinformacione dhe ka bërë përpjekje të manipulojë votuesit amerikanë në Facebook dhe media të tjera sociale.

Më 19 tetor, prokurorët amerikanë kanë akuzuar edhe një grua ruse për rol financiar në, siç thanë, planin e mbështetur nga Kremlini për të kryer "luftë informacioni" kundër Shteteve të Bashkuara, përfshirë përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet për Kongres, që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Bolton i tha radio-stacionit rus Ekho Moskvy se ndërhyrja në zgjedhje ishte "një pengesë e madhe" për Uashingtonin dhe Moskën që të arrijnë marrëveshje në çështjet ku të dyja vendet kanë interes të përbashkët.

"Nuk duhet të përziheni në zgjedhjet tona, sepse nuk jeni duke i avancuar interesat ruse", tha Bolton, në bazë të një transkripti që shpërndau Shtëpia e Bardhë.

Komentet e Boltonit vijnë pasi gazeta Neë York Times njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë nisur një fushatë kibernetike kundër operatorëve rusë, në përpjekje për të frenuar dezinformimin, përpara zgjedhjeve të Kongresit më 6 nëntor./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat