Presidenti Trump i bën thirrje karvanit të imigrantëve të kthehet mbrapsht

Amerika

Presidenti Trump i bën thirrje karvanit të imigrantëve të kthehet mbrapsht

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 17:51
"Pjesëtarëve të karvanit, kthehuni mbrapsht", tha Trump

Ndërsa një karvan imigramtësh nga Amerika Qendrore i afrohet kufirit verior të Meksikës, Presidenti amerikan Donald Trump e ka etiketuar shpresën e tyre për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, një “emergjencë kombëtare”.

Mbi 2 mijë trupa të Gardës Kombëtare janë të dislokuara në atë zonë. Megjithatë të enjten, zoti Trump paralajmëroi se do të dislokonte trupat ushtarake në kufi për të mos lejuar karvanin të hyjë në Shtetet e Bashkuara.

"Do të nxjerr ushtrinë për këtë Emergjencë Kombëtare. Ata do të ndalohen”, shkruante zoti Trump në Twitter të enjten.

Zoti Trump tha gjithashtu se ishte dakord me një zyrtar të një sindikate të rojave të kufirit se është faji i demokratëve që imigrantët kërkojnë strehim në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan ka denoncuar Hondurasin, El Salvadorin dhe Guatemalëm që nuk i kanë ndaluar qytetarët e tyre që të niseshin për në Shtetet e Bashkuara. Ai tha të hënën se do të fillonte ndërprerjen e ndihmës së huaj për ato vende dhe javën e kaluar paralajmëroi se do të përdorte trupat ushtarake për të mbyllur kufirin.

Presidenti Trump bëri gjithashtu të enjten një koment të acaruar në Twitter, drejtuar pjesëtarëve të karvanit.

"Pjesëtarëve të karvanit, kthehuni mbrapsht. Nuk do të lejojmë njerëz të hyjnë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht. Kthehuni në vendin tuaj dhe nëse doni, bëni kërkesë për shtetësi, siç bëjnë miliona të tjerë”, shkruante ai.

Aktualisht imigrantët po përshkojnë shtetin Chiapas të Meksikës, ku jetojnë disa nga komunitetet më të varfra të vendit.

Dr. Jesus Miravete kuroi mbi 120 vetë për katër orë të enjten. Shumë prej tyre, kishin djegie në këmbë ngaqë kishin ecur me sandale plastike në asfaltin përvëlues të autostradës.

"Ndjehem i tronditur, veçanërisht nga numri i lartë i fëmijëve të dehidratuar që kam pare”, tha Dr. Miravete.

Banorët e shtetit Chiapas kanë dale të ndihmojnë imigrantët, duke u dhënë ushqim, ujë, strehë dhe duke i transportuar me makinë.

"Janë qenie njerëzore. Duhet të bësh diçka t’i ndihmosh”, i tha Cesar Cabuqui agjencisë Associated Press, ndërsa shpërndante fasule të gatuara dhe sanduiçe me djathë dhe ujë tek pjesëtarët e karvanit.

Sëmundjet, sjellja e keqe e policisë ndaj tyre dhe frika po lënë gjurmët e tyre tek imigrantët, që tani janë mes 4 mijë dhe 5 mijë vetëve, një rënie drastike nga 7 mijë që ishin para disa ditësh.

Zyrtarët thonë se afro 1 mijë e 700 imigrantë kanë dale nga karvani dhe kanë kërkuar azil në Meksikë. Disa qindra kanë pranuar ofertën e Meksikës për t’i transportuar në vendet e tyre.

Qeveria meksikane ka refuzuar t’u japë imigrantëve ushqim, ujë, dhe madje edhe t’u sigurojë banja, duke e lënë në dorën e qytetarëve private, grupeve të kishave ose zyrtarëve locale që të shpërndajnë artikuj jetikë, sipas agjencisë Associated Press.

Qeveria meksikane ua jep këto artikuj kritikë vetëm imigrantëve që dorëzohen vetë në qendrat e imigracionit për të aplikuar për viza, ose për t'u kthyer mbrapsht.

Në disa raste, policia federale e Meksikës është përballur me karvanin e imigrantëve, që janë kryesisht nga Hondurasi, sipas agjencisë Associated Press.

Prindërit që kanë qendruar në karvanin e imigrantëve, thonë se e kanë bërë një gjë të tillë për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe nga frika e rrezikut që mund t’u kanoset në Hondurasin e dominuar nga bandat.

Shkalla e vrasjeve në Honduras është 43 për 100 mijë banorë, ndër më të lartat në botë për në vend që nuk është në luftë.

Karvane të tilla janë bërë rutinë ndër vite, duke mbetur kryesisht jashtë vëmendjes, por presidenti Trump e ka përdorur karvanin për të mobilizuar bazën e tij republikane para zgjedhjeve të kongresit më 6 nëntor.

Zoti Trump e ushqeu edhe më shumë debatin në një sere komentesh në Twitter të hënën, duke thënë pa dhënë prova se “kriminelë dhe persona të panjohur nga Lindja e Mesme” ishin mes pjesëtarëve të karvanit të imigrantëve nga Amerika Qendrore që janë nisur për në Shtetet e Bashkuara.

Shumë prej tyre mund të mos kualifikohen për azil, edhe nëse arrijnë në kufi, pasi Shtetet e Bashkuata nuk i konsiderojnë si faktorë kualifikues arratisjen nga varfëria dhe disa lloje dhune.

Sipas së drejtës ndërkombëtare, individët që largohen nga dhuna ose përndjekja, duhet të lejohen të hyjnë në vendin ku kërkojnë azil dhe kanë të drejtën të aplikojnë për azil.

Anëatarë të personelit të UNHCR-së mbërritën në filim të javës në qytetin Tapachulas të Meksikës, pranë kufirit me Guatemalën, për të ndihmuar me stabilizimin e gjendjes kaotike të karvanit dhe për të regjistruar azilkërkuesit.

Zëdhënësi i UNHCR-së, Adrian Edwards i tha Zërit të Amerikës se personeli i agjencisë, po mbron gjithashtu të drejtat e imigrantëve.

“Çdo vend ka të drejtën që të menaxhojë imigracionin dhe kufijtë sipas rregullave të veta. Ajo që ka rëndësi për ne, është që menaxhimi i kufijve të bëhet duke pasur parasysh normat për azilkërkuesit, që do të thotë të konsiderohet kërkesat e tyre dhe të trajtohen në përputhje me lgijin ndërkombëtar”, tha zoti Edwards.

Candy Guillermo, një 37 vjeçare, nënë e vetme e katër fëmijëve thotë se nuk e kupton dot se si zoti Trump mund ta konsiderojë atë dhe njerëz të tjerë të karvanit, një kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

"Habitem sepse ne kemi fëmijë këtu. Ne thjesht duam t’u japim fëmijëve tanë një të ardhme më të mire”, thotë ajo./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat