Zgjedhjet në SHBA, intensifikohet fushata elektorale

Amerika

Zgjedhjet në SHBA, intensifikohet fushata elektorale

Më: 4 nëntor 2018 Në ora: 06:27
Donald Trump

Pas tre ditësh në SHBA zhvillohen zgjedhjet për Kongresin. Këto zgjedhje janë një test i rëndësishëm për Presidentin Donald Trump, i cili në vazhdimësi është përballur me polemika për retorikën e tij agresive elektorale.

E në këto ditë të fundit të fushatës, për zgjedhjet e mesit të mandatit, kjo retorikë është ashpërsuar edhe më shumë, me të dyja palët që nxjerrin në fushë armët e rënda.

Presidenti Trump dhe ish-Presidenti Barack Obama kanë përveshur mëngët dhe po flasin për gjithçka, nga kriza e emigrantëve e deri tek kujdesi shëndetësor. Trump, në tumbimin më të fundit elektoral të tij, foli për ekonominë që nën drejtimin e tij po ecën shumë mirë. Por, edhe karvani i emigrantëve, tashmë në Meksikë, ishte lart në axhendë. Dhe në këtë pikë, Trump mohoi t’i ketë kërcënuar ata se mund edhe të qëllohen.

“Unë nuk thashë do të qëllohen. Por, nëse ata na qëllojnë ne, do të arrestohen për shumë kohë”, tha ai.

Në Majemi, Barack Obama foli për ndasitë në politikën amerikane.

“Përse ata që fituan zgjedhjet e fundit janë kaq të zemëruar gjithë kohën? Është një pyetje interesante. Kur unë fitova presidencën, të paktën, partia dhe mbështetësit e mi ndiheshin mirë”, tha ai.

Ndërkohë, Twitter-i thotë se ka fshirë më shumë se 10 mijë llogari automatike që postonin mesazhe që dekurajonin njerëzit që të votonin dhe që në mënyrë të manipuluar dukej sikur vinin nga demokratët. Ishte vetë partia ajo që e denoncoi rastin tek kompania e medias sociale.

Fushata pritet të intensifikohet akoma më shumë gjatë fundjavës. Sondazhet ndërkohë tregojnë se gara do të jetë shumë e ngushtë dhe rezultati, shumë i pasigurtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat