Amerikanët në votime për Kongresin, s’ka raportim për ndërhyrje ruse

Amerika

Amerikanët në votime për Kongresin, s’ka raportim për ndërhyrje ruse

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 20:34
Amerikanët në votime për Kongresin

(E plotësuar) - Megjithë shqetësimet lidhur me ndërhyrjen e huaj, sipas monitorëve federalë, zgjedhjet e së martës për në Kongres, nuk janë shoqëruar nga ndonjë incident.

Edhe pse votimet ende nuk kanë përfunduar, nuk është raportuar për ndonjë sulm kibernetik ndaj sistemit elektoral amerikan nga Rusia, apo aktorë të tjerë të huaj. Sipas njoftimeve, në të 170 mijë qendrat e votimit që ka vendi, nuk ka patur ndërhyrje, apo ndonjë shkelje të rëndësishme.

Në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, zyrtarët thanë se agjencitë e zbulimit, nuk kishin vënë re ndonjë shenjë “fushate të koordinuar” për të prishur zgjedhjet e së martës.

Ndërkohë, ka patur njoftime për radhë të gjata dhe mosfunksionim të makinave në disa qendra votimi në orët e para të mëngjesit, sidomos në shtetin e Xhorxhës.

Amerikanët në votime për Kongresin

Një elektorat amerikan i ndarë prerazi po voton sot për të zgjedhur Kongresin e ri dhe për të dhënë gjykimin e tyre për punën e Presidentit Donald Trump. Rezultati mund të ndryshojë balancën e pushtetit në Uashington dhe dy vitet e ardhshme të presidencës Trump.

Të martën, amerikanët zgjedhin të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve (435 ligjvënës), 35 nga 100 anëtarët e Senatit, si dhe 36 nga 50 guvernatorët e shteteve amerikane.

Anketimet dhe analistët sugjerojnë se demokratët në opozitë kanë avantazhin në betejën për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Për të rimarrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratët duhet të fitojnë në këto zgjedhje 23 ligjvënës të tjerë.

Republikanët po mbështeten tek Presidenti Donald Trump për të mobilizuar mbështetësit e tij dhe për të ruajtur kështu shumicën e ngushtë në Senat prej 51 nga 49 senatorët. Nga 35 vendet në Senat për të cilat votohet sot, 26 janë aktualisht të mbajtura nga senatorë demokratë dhe 9 nga senatorë republikanë.

Fokusi tek emigracioni

Demokratët po përpiqen të ruajnë 10 vende senatorësh në shtetet ku Presidenti Trump triumfoi në vitin 2016, ndër to edhe shteti Tennessee.

Gjatë një tubimi rishtazi në Chattanooga, Presidenti Trump kritikoi demokratët për çështjen e emigracionit.

Image

"Demokratët duan të ftojnë karvan pas karvani të huajsh të paligjshëm që të vërshojnë në vendin tonë. Nuk jam dakort", deklaroi Presidenti Trump, duke risjellë imazhet e karvanit të emigrantëve nga Amerika Qendrore që po kalojnë përmes Meksikës. "Asnjë komb nuk mund të lejojë mësymjen e kufijve të tij. Ky është pushtim. Nuk më intereson se ç'thonë. Nuk më intereson se ç'thuhet nga mediat e rreme. Ky është një pushtim i vendit tonë".

Demokratët kanë mobilizuar në fushatë personalitete të profilit të lartë, ndër ta edhe ish-Presidentin Barack Obama, i cili mobilizoi votuesit në shtetin e tij Illinois. Ai u tha mbështetësve se dërgimi i ushtarakëve amerikanë në kufi, në përgjigje të karvanit, ishte një "manovër politike".

"Kur ju këtu në Illinois të votoni, mund ta refuzoni këtë lloj politike. Kur të merrni pjesë në procesin politik, mund të shërbeni si kundërpesha ndaj sjelljes së keqe. Kur të votoni, mund të zgjidhni shpresën përkundër frikës", u shpreh zoti Obama.

Pjesëmarrja në orët e para në disa shtete amerikane ka qenë e lartë, diçka jo e zakontë për zgjedhjet e mesmandatit kur përgjithësisht është vështirë të arrihet pjesëmarrja e votuesve deri në nivelin 40%.

Demokratët janë ndjerë gjithnjë e më optimistë për shanset e rimarrjes së shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve. Udhëheqësja demokrate Nancy Pelosi parashikoi javën e kaluar rimarrjen e kontrollit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Presidenti Trump, temë qendrore

Anketimet sugjerojnë se votuesit demokratë janë të përqëndruar tek çështje si sistemi i kujdesit shëndetësor dhe ekonomia, ndërsa votuesit republikanë janë përqëndruar tek çështja e emigracionit.

Por, sipas ekspertit të Institutit Brookings, John Hudak, është gjithashtu e qartë se Presidenti Donald Trump është një tjetër tematikë kryesore për të dyja partitë politike.

Presidenti Donald Trump zhvilloi fushatë në shtetin Tenesi, ku kritikoi demokratët për çështjen e imigracionit, ndërsa përpiqet të ruajë shumicën republikane në Senat.

Në votimet e hershme ka patur një pjesëmarrje të madhe dhe votuesit nga të dyja partitë i shohin këto zgjedhje si një referendum për Presidentin Trump, thotë eksperti John Hudak:

“Ky president do që këto zgjedhje të jenë një referendum për të, pasi mendon se popullariteti i tij është aq i madh, saqë do t’u sjellë republikanëve fitoren.”

Donald Trump nuk është në luftë vetëm me demokratët, por edhe me historinë, thotë analisti John Fortier:

“Në përgjithësi, në zgjedhjet e mesit të mandatit partia e presidentit nuk del mirë. Edhe këtë herë, nuk do të ndodhë ndryshe. Demokratët do të dalin mirë në garat për Dhomën e Përfaqësuesve, për guvernatorë dhe ligjvënës shtetesh.”

Historikisht, republikanët kanë një pjesëmarrje më të madhe në votimet e mesit të mandatit.

Kjo u krijon presion demokratëve, ata duan të sigurohen që përkrahësit e tyre do të dalin për të votuar, thotë Frank Newport, i firmës së anketimeve Gallup:

“Me shpresën se votuesit republikanë zakonisht dalin më shumë në votime, a munden demokratët të aktivizojnë njerëzit që identifikohen si të Partisë Demokrate, që ata të dalin të votojnë për kandidatët e tyre?”- thotë zoti Newport.

Pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë një faktor i rëndësishëm, nëse demokratët shpresojnë të rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, thotë analisti Jim Kessler.

“Dhoma e Përfaqësuesve e ka mbështetur pa rezerva axhendën e Presidentit Trump. Por nuk ka për të qenë më kështu. Për çdo çështje do të vendoset mbi baza partiake.”

Demokratët pritet të sigurojnë fitore në garën për Dhomën e Përfaqësuesve, ndoshta një numër të mjaftueshëm për të rimarrë kontrollin e saj.

Republikanët shpresojnë ta ruajnë diferencën e ngushtë 51 me 49 në Senat, falë ndihmës së Presidentit Trump gjatë fushatës elektorale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat