Shkarkimi i prokurorit Sessions: Frikë për hetimet e çështjes ruse

Amerika

Shkarkimi i prokurorit Sessions: Frikë për hetimet e çështjes ruse

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 17:14
Jeff Sessions

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shkarkoi të mërkurën prokurorin e përgjithshëm, Jeff Sessions, duke e zëvendësuar atë me shefin e stafit të tij.

Presidenti, për kohë të gjatë, e ka kritikuar ish-senatorin republikan, Sessions, i cili ka qenë ndër të parët që ka mbështetur kandidaturën presidenciale të Trumpit.

Ai e ka humbur besimin te zyrtari i lartë i zbatimit të ligjit, pasi Sessions, vitin e kaluar, është tërhequr nga mbikëqyrja e hetimeve mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, duke e kaluar këtë detyrë te zëvendësi i tij, Rod Rosenstein.

Trump, me një postim në Twitter, e falënderoi Sessions për “shërbimin e tij” dhe njoftoi se në pozitën e prokurorit të përgjithshëm ka emëruar shefin e stafit, Matthew Whitaker.

Njoftimi lëshoi këmbanat e alarmit: Whitaker ka qenë kritik i kompetencave të gjera që i janë dhënë ekipit të këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, për të hetuar akuzat se fushata e Trumpit ka bashkëpunuar me Rusinë në vitin 2016. Hetimet mbi këtë çështje, Trump i ka cilësuar si “gjueti shtrigash”.

Në një shkrim për CNN-in në gusht të vitit 2017, Whitaker ka thënë se “Mueller i është afruar vijës së kuqe” në hetimin e çështjes së ndërhyrjes ruse dhe se ai “është rrezikshëm afër kalimit të saj”.

Si prokuror i përgjithshëm, Whitaker tani ka fuqinë të heqë Rosensteinin nga mbikëqyrja e hetimeve dhe të marrë vetë përgjegjësinë.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, i bëri thirrje Whitakerit të tërhiqet nga hetimet, duke marrë parasysh, siç tha ai, komentet e tij të mëparshme në mbështetje të mosfinancimit të tyre.

Ish-prokurori i përgjithshëm, Eric Holder, i cili ka shërbyer në administratën e presidentit Barack Obama, tha se secili që përpiqet të ndërhyjë në hetimet që po kryen Mueller, “duhet të mbahet përgjegjës”.

Senatori republikan, Lindsey Graham, tha se shpreson që "të punojë me presidentin Trump për të gjetur një pasardhës të denjë”, në mënyrë që të fillojë “një kapitull i ri në Departamentin e Drejtësisë".

Graham ka thënë vitin e kaluar se do të ishte “ferr” nëse Sessions shkarkohet.

BBC në një analizë të veten tha se kjo sitiuatë mund të jetë vetëm fillimi i një përpjekjeje të Shtëpisë së Bardhë për të mbyllur hetimin e Rusisë ose për t’i mbajtur gjetjet jashtë syrit publik.

Rusia vazhdimisht e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet në SHBA, në favor të, siç është thënë, zgjedhjes së Trumpit president.

Whitaker ofroi pak ide rreth qëllimeve të tij. Duke folur për gazetarët, ai tha se do të udhëheqë departamentin e tij në përputhje me "standardet më të larta etike"./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat