Vazhdojnë zjarret vdekjeprurëse në Kaliforni - Bota Sot
Vazhdojnë zjarret vdekjeprurëse në Kaliforni

Amerika

Vazhdojnë zjarret vdekjeprurëse në Kaliforni

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 18:01
Kaliforni

Mbrëmë vonë sherifi i komunës Butte County në veri të Kalifornisë njoftoi gjetjen e viktimave të tjera pranë qytetit Paradise, një zonë me 27 mijë banorë që është shkatërruar nga zjarri.

“Nga 56 viktimat që kemi gjetur deri tani, kemi identifikuar 47 prej tyre por ende po presim për konfirmimin e ADN-së. Shpresojmë të marrim konfirmime pa vonesë, pasi kemi sjellë Sistemin e Analizave të Shpejta,” tha Sherifi Kory Honea.

Ende rreth 100 vetë figurojnë të zhdukur. Në jug të shtetit, zjarret kanë shkatërruar zona përgjatë bregdetit, në Malibu dhe qytete të tjera ku banojnë shumë emra të njohur të Hollivudit:

“Shikoni pamjet, duket si zonë lufte. Të thyhet zemra,” shprehet përmes Twitterit aktori Gerarld Butler duke treguar shkatërrimin në lagjen e tij.

Shumë aktorë të tjerë kanë përcjellë pamje e komente përmes Twitterit.

Edhe këngëtares Miley Cyrus iu shkatërrua shtëpia në Malibu. Në një postim në Twitter ajo shkruan: “Shtëpia ime nuk është më, por mbeten të pashlyeshme kujtimet që kam krijuar me familjen dhe miqtë”.

Edhe aktorja Alyssa Milano dhe regjisori Guillermo Del Toro u detyruan të evakuohen.

Në Twitter, regjisori Del Toro shkruan se shtëpia ku ai ka një koleksion të madh me objekte nga filma horror dhe fantastiko-shkencorë, nuk ishte dëmtuar. “Vetëm i kishte hyrë tymi,” shkruan ai.

Mijëra zjarrfikës janë mobilizuar për të luftuar zjarret. Ata janë përballur me shkatërrime të papara nga zjarret më të rënda në historinë e Kalifornisë:

“Kam 31 vjet në këtë punë. Në 5 apo 7 vitet e fundit duket sikur situata e zjarreve po bëhet më keq çdo vit. Pjesërisht kjo për shkak të thatësirës që vazhdon dhe që ka shkatërruar bimësinë. Pemët e thata digjen kollaj,” thotë shefi i departamentit të zjarrfikësve për Kaliforninë.

Thatësira e tejzgjatur si dhe erërat e forta e kanë kthyer situatën në një katastrofë natyrore me përmasa rekord.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...