Trump sulmoi Clintonin. Edhe Ivanka ka përdorur “e-mail” personal për çështje zyrtare

Amerika

Trump sulmoi Clintonin. Edhe Ivanka ka përdorur “e-mail” personal për çështje zyrtare

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 09:08
Ivanka Trump

Tashmë është e konfirmuar. Edhe Ivanka Trump ka përdorur “e-mail”-in e saj personal për të dërguar qindra mesazhe, në të cilat diskutohet mbi çështje zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, gjatë vitit të kaluar.

Një rishikim i “e-mail”-eve të saj zbuloi se ajo ka përdorur adresën e saj private për të kontaktuar zyrtarë qeveritarë. Por, avokati i saj mbrojtës e ka justifikuar këtë me faktin se, Ivanka i ka dërguar këto “e-mail”-e përpara se të informohej mbi rregulloren.

Por përse është kaq i rëndësishëm ky zbulim? Në vitin 2016, babai i saj Donald Trump akuzoi Hillary Clintonin se kishte vendosur “në rrezik” Shtetet e Bashkuara për shkak të përdorimit të “e-mail”-it privat teksa shërbente si Sekretare e Shtetit.

Të hënën, “Washington Post” raportoi se, edhe pse “e-mail”-et e Ivankës përmbanin më së shumti informacione logjistike dhe personale, disa prej tyre sërish mund të jenë dërguar në shkelje të rregullave federale për ruajtjen e tyre.

Një zyrtar i administratës së Trumpit tha për “CBS News” se “e-mail”-et e Ivankës nuk përmbanin informacione të klasifikuara, e se gjithçka ka ndodhur ka qenë kryesisht mungesë e të kuptuarit të rregullave. Por, nga sa thuhet, Ivanka e ka ndalur përdorimin e adresës së saj personale për korrespondenca qeveritare, sapo është informuar se nuk i lejohej të bënte pikërisht këtë gjë.

Megjithatë, aktivistë të ndryshëm thonë se “familja e presidentit nuk qëndron dot mbi ligjin”. Sipas tyre, ka ende shumë pyetje serioze, të cilat Kongresi duhet t’i hetojë në mënyrë urgjente.

A i ka dorëzuar Ivanka Trump të gjitha ‘e-mail’-et e saj për t’u arkivuar, siç kërkohet nga ligji? A ka dërguar ajo informacion të klasifikuar për një sistem privat? – janë disa nga pyetjet e ngritura tashmë.

Gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2016, Donald Trump tha se përdorimi nga Clintoni i një serveri privat për të dërguar “e-mail”-e zyrtare gjatë kohës që ishte Sekretare Shteti në vitin 2009 ishte një skandal “edhe më i madh sesa Watergate”.

Ai kritikoi vazhdimisht sjelljen e saj, duke i quajtur madje veprimet e saj si “të paligjshme” dhe që përbënin kërcënim ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Gjatë kohës së fushatës, Trump inkurajoi vazhdimisht turmat e njerëzve në mitingjet e tij të thërrisnin “Arrestojeni!” dhe u zotua ta burgoste Hillary Clintonin për shkak të kësaj sage.

Ai madje i bëri thirrje Rusisë të ndihmonte në lokalizimin e rreth 30 mijë “e-mail”-eve që Clinton nuk kishte dorëzuar te hetuesit, pasi ajo ose avokatët e saj përcaktuan se nuk ishte e nevojshme, duke i konsideruar ato si mesazhe personale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat