Ligjvënësit kritikojnë qëndrimin e presidentit ndaj Riadit

Amerika

Ligjvënësit kritikojnë qëndrimin e presidentit ndaj Riadit

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 19:55
Ligjvënësit amerikanë

Ligjvënësit amerikanë po kritikojnë ashpër Presidentin Donald Trump lidhur me dekleratën se, Shtetet e Bashkuara do të kenë marrëdhënie të palëkundura me Arabinë Saudite edhe pse pranoi se Princi saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman, mund të ketë patur dijeni për vrasjen brutale të gazetarit Xhamal Khashoggi të gazetës Washington Post. Ligjvënësit nga të dy krahët e politikës janë të revoltuar sepse thonë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të braktisin vlerat e saj themelore për interesa ekonomike. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Cindy Saine i hedh një vështrim rolit të të drejtave të njeriut në vendimmarrjen amerikane në politikën e jashtëme.

Vrasja dhe copëtimi i trupit të gazetarit Xhamal Khashoggi me 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll nuk ka ndikuar tek Presidenti Donald Trump që të ndryshojë politikën e Uashingtonit ndaj Arabisë Saudite.

Presidenti u pyet të martën rreth njoftimeve se CIA ka vlerësuar me besim të lartë se princi saudit i kurorës urdhëroi vrasjen.

“Fakti është se ndoshta ai e bëri, ndoshta nuk e bëri. Po të shikosh Iranin se çfarë ka bërë, apo po të shikosh se çfarë po ndodh në Siri me Assadin me qindra mijëra njerëz të vrarë. Ne jemi me Arabinë Saudite dhe ky qëndrim nuk do të ndryshojë.”

Ligjvënësit nga të dy partitë e kritikuan dekleratën e presidentit për solidaritet me Arabinë Saudite, mes tyre edhe Kryetari në largim i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet e Jashtëme, Bob Corker.

“Është një situatë delikate kur flitet për një aleat afatgjatë që e kemi patur për dhjetëra vite. Por kemi princin e kurorës, për të cilin besoj se urdhëroi vrasjen e gazetarit. Gjuha e përdorur tingëllonte sikur ata po shkruanin një dekleratë shtypi për Arabinë Saudite dhe jo për Shtetet e Bashkuara.”

Senatori republikan Lindsey Graham postoi në rrjetin Twitter se Amerika duhet të trajtojë ‘situatat e papërsosura në arenën ndërkombëtare’, ndërsa paralajmëroi se ‘kur humbim zërin tonë moral, ne humbasim pasurinë tonë më të madhe’.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka kritikuar veçanërisht abuzimin e të drejtave të njeriut në Iran, por në një intervistë në radio të mërkurën tha se Arabia Saudite ka ‘bërë përparime të rëndësishme në çështje të të drejtave të njeriut’.

Të martën ai u pyet nga gazetarët nëse politika e administratës “Amerika e Para” nënkupton “të drejtat e njeriut në fund”.

“Përgjigja më e mirë për pyetjen është që të flasim për ato që kemi bërë aktualisht. Ka patur përpjekje të mëdha në lidhje me zbulimin e fakteve mbi vdekjen, vrasjen e Xhamal Khashoggit”.

Megjithatë zoti Trump ka bërë përzgjedhje në përparësitë që lidhen me të drejtat e njeriut, thotë analisti Aaron David Miller.

“Ne duam që sauditët të mbajnë në kontroll Iranin, të ndihmojnë në arritjen e paqes izraelito-palestineze, duam të theksojmë meritat reformiste të Princit, duke mos marrë parasyshë faktin se ai gjithashtu ka urdhëruar shtypjen e egër ndaj gazetarëve të shoqërisë civile, dhe rolin në vrasjen e zotit Khashoggi.”

Analisti përmend Presidentin rus Vladimir Putin si një shembull tjetër të një udhëheqësi botëror, me të cilin Amerika dhe vende të tjera vazhdojnë të kenë marrëdhënie, pavarësisht pretendimeve për përfshirjen e qeverisë ruse në vrasjen e gazetarëve, kundërshtarëve politikë dhe ish-spiunëve./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat