SHBA mbyll kufirin dhe hedh gaz lotsjellës ndaj emigrantëve

Amerika

SHBA mbyll kufirin dhe hedh gaz lotsjellës ndaj emigrantëve

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 16:00
SHBA

Gaz lotsjellës është lëshuar nga policia amerikane kundër emigrantëve të ndaluar në kufirin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës, në zonën mes Tijuanës dhe San Diegos.

Autoritetet amerikane, kishin mbyllur kufirin pas tentativës së mësymjes nga ana e një grupi emigrantësh që donte të futej me forcë në SHBA.

Një karvan prej rreth 3.000 emigrantësh nga vendet e Amerikës Qendrore kanë mbërritur tashmë në qytetin meksikan kufitar të Tijuanës. Ata pretendojnë se po i largohen persekutimit, varfërisë dhe dhunës në vendet e tyre, si Hondurasi, Guatemala dhe El Salvadori.

Por, presidenti Donald Trump e ka përshkruar karvanin e emigrantëve, që shpresojnë të kalojnë kufirin për të hyrë në SHBA si “pushtues”, ndaj dhe ka dërguar rreth 5.800 trupa në kufirin jugor, për t’ua vështirësuar kalimin atyre.

Të mërkurën, gjithsesi Mattis u tha gazetarëve se Departamenti i Sigurisë së Brendshme nuk ka kërkuar aspak që trupat të përdorin “forcë vdekjeprurëse”, duke garantuar kështu të gjithë që të qëndrojnë të pashqetësuar.

Ai theksoi se ushtarët të armatosur me shkopinj dhe mburoja mund të kenë tagrin të ndalojnë emigrantët për “disa minuta, as orë nuk bëhet fjalë”, por jo autoritetin për t’i arrestuar ata.

“Nëse dikush sulmon një patrullues kufitar dhe nëse gjendemi në pozicionin për të bërë diçka për atë, sigurisht që do t’i ndalim ata nga ushtrimi i dhunës dhe do t’i dorëzojmë më pas te patrulluesit kufitarë, të cilët kanë edhe tagrin për t’i arrestuar”, tha Mattis.

Më herët gjatë kësaj jave, një gjykatës federal bllokoi një urdhër të lëshuar nga Trump për t’iu mohuar mundësinë e kërkimit të azilit emigrantëve që kalojnë kufirin në mënyrë ilegale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat