Pompeo dhe Mattis i dalin në mbrojtje përfshirjes amerikane në luftën në Jemen

Amerika

Pompeo dhe Mattis i dalin në mbrojtje përfshirjes amerikane në luftën në Jemen

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 07:06
Jim Mattis

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis i kanë dalë në mbrojtje përfshirjes amerikane në luftën në Jemen, ku mijëra civilë janë vrarë në bombardimet e udhëhequra nga sauditët kundër rebelëve Houthi që mbështeten nga iranianët.

Për gazetarët përpara takimit me dyer të mbyllura me senatorët të mërkurën, zoti Pompeo tha se: "vuajtjet në Jemen më trishtojnë, por nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të ishin përfshirë atje, do të kishte qenë shumë më keq".

Sekretari i Shtetit njoftoi gjithashtu në një postim në Twitter "një ndihmë shtesë në ushqime për Jemenin prej 131 milionë dollarësh ". Ai tha se kjo e çon nivelin e "ndihmës së përgjithshme humanitare, në më shumë se 697 milionë dollarë gjatë 14 muajve të fundit".

Në një tjetër zhvillim senati amerikan ishte caktuar të votonte të mërkurën për një masë për të detyruar administratën Trump të tërheqë mbështetjen ushtarake amerikane prej konfliktit që ka lënë miliona në rrezik për të vdekur nga uria.

Për gazetarët, përpara seancës informuese me senatorët, sekretari i Mbrojtjes Mattis theksoi qëllimin e përfshirjen amerikane në konflikt.

"SHBA-ja nuk është përfshirë në mënyrë operacionale në konfrontime në luftën civile të Jemenit ose në situata ku konfrontimi ka qenë i pashmangshëm, përveç operacioneve kundër terrorizmit, kundër AQAP-it dhe ISIS-it", tha zoti Mattis, duke iu referuar al-Kaidës në gadishullin arabik si dhe grupit terrorist të Shtetit Islamik.

Ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë politike kanë kundështuar vendosmërinë me të cilën administrata e zotit Trump mbron idenë se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po bëjnë mjaftueshëm për të parandaluar viktimat civile në Jemen. Sulmet ajrore të koalicionit saudit kanë vrarë me mijëra njerëz që nuk janë përfshirë në luftime.

Më parë këtë vit, koalicioni i udhëhequr nga sauditët pranoi "se kishte gabuar" me bombardimin e një autobusi në muajin gusht ku u vranë dhjetra fëmijë. Koalicioni u zotua se do të vendoste përpara përgjegjësisë ata që bombarduan automjetin dhe se do të përmirësonte procedurat mbi objektivat që do të vihen nën shenjestër.

Gjatë konfliktit tre vjeçar në Jemen janë vrarë 10 mijë persona, ndërsa miliona vetë përballen dhe rrezikun e vdekjes nga uria./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat