Nancy Pelosi shpreson të rizgjidhet Kryetare të Dhomës së Përfaqësuesve

Amerika

Nancy Pelosi shpreson të rizgjidhet Kryetare të Dhomës së Përfaqësuesve

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 10:47
Nancy Pelosi

Nancy Pelosi, një demokrate nga Kalifornia, u propozua të mërkurën për Kryetare të Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse konfirmohet në janar, ajo nuk do të jetë vetëm kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, por edhe një grua që e ka mbajtur këtë post dy herë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke, thotë se zonja Pelosi nuk kishte rivalë dhe fitoi lehtësisht, pavarësisht nga kundërshtarët e partisë së saj, të cilët preferonin një udhëheqje të re.

Demokratët votuan me shumicë dërrmuese për të emëruar zonjën Pelosi si Kryetare të Dhomës së Përfaqësuesve për herë të dytë. Ligjvënësja më e lartë amerikane është e bindur për fitore kur ajo të përballet me një votim të plotë në Dhomën e Përfaqësuesve më 3 janar.

" A ka kundërshtarë? Po. Por pres që të ketë një votë të fuqishme miratimi përpara."

Pak njerëz, mund të venë në pikëpyetje përvojën, njohuritë apo aftësitë politike të zonjës Pelosit. Por shumë besojnë se është koha për të sjellë drejtues të rinj me ide të reja. Pelosi është 78 vjeç.

"Kur sheh udhëheqjen e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, duket sikur është komiteti koordinues i një azili pleqsh, të gjithë janë afër të 80-tave. Ku është brezi i ri i demokratëve? Ata nuk do t'i drejtojnë demokratët të marrin pushtetin me një ekip drejtues të tillë", - thotë Larry Sabato me Qendrën për Politikat.

Kur demokratët të bëhen shumica në Dhomën e Përfaqësuesve vitin e ardhshëm, pritet që të kërkojnë hetimin e Presidentit Donald Trump, përfshirë fushatën e tij presidenciale, marrëdhëniet e tij të biznesit dhe deklarimin e taksave. Pelosi do të kryesojë këto përpjekje.

"Detyra jonë është të sigurojmë kontrollin dhe balancën ndaj presidentit dhe degëve të tjera të qeverisjes dhe do ta bëjmë këtë me dinjitet", - tha zonja Pelosi.

Presidenti ka qenë kritik ndaj zonjës Pelosi në fushatat e fundit në emër të kandidatëve republikanë për në Kongres. Por ai shprehu mbështetje për garën e saj për t'u bërë Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

"Nëse ajo ka nevojë, mendoj se do të jem në gjendje që t'i sigurojë shumë vota të nevojshme. Nuk kam asnjë synim tjetër përveçse me të vërtetë besoj se ajo e meriton atë pozitë. Unë gjithashtu besoj se Nancy Pelosi dhe unë mund të punojmë së bashku dhe të bëjmë shumë gjëra", - tha presidenti Trump.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve është politikani i tretë më i lartë në Shtetet e Bashkuara pas presidentit dhe nënpresidentit. Duke e mbajtur atë pozitë, Pelosi është politikanja më e lartë femër në historinë e Shteteve të Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat