SHBA-ja e dënon testimin e raketës me rreze të mesme nga Irani

Amerika

SHBA-ja e dënon testimin e raketës me rreze të mesme nga Irani

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 15:29
Mike Pompeo

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, e ka dënuar testimin e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi, e cila besohet se është të gjendje të bartë disa koka bërthamore. “Kjo raketë mund t’i arrijë disa pjesë të Evropës dhe çdo vend të Lindjes së Mesme”, tha Pompeo përmes një deklarate.

Ai e citoi marrëveshjen ndërkombëtare për armët nukleare të vitit 2015, nga e cila SHBA-ja është tërhequr në maj të këtij viti, duke thënë: “Ky testim e shkel Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila ia ndalon Iranit kryerjen e çdo veprimi që lidhet me testimin e raketave që mund të bartin armë bërthamore”.

Ai tha se Irani është duke e përforcuar programin e vet raketor dhe ka kërkuar nga ky shtet që t’i ndërpresë këto veprime. Kjo deklaratë vjen pas tensionimit të marrëdhënieve mes Tehranit dhe Uashingtonit, pasi SHBA-ja i ka rikthyer sanksionet ndaj Iranit, të cilat i kishte larguar më parë sipas një marrëveshjeje.

Sanksionet amerikane janë pjesë e një fushate më të gjerë të SHBA-së për t’i bërë trysni Iranit kundër zhvillimit të raketave dhe përkrahjes ndaj grupeve militante në Lindje të Mesme. Irani ka reaguar ndaj deklaratës së Pompeos, duke thënë se programi raketor është duke u zhvilluar vetëm për qëllime të mbrojtjes dhe nuk i shkel rezolutat e Kombeve të Bashkuara, shkruan “Free Europe”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat