Presidenti Trump i irrituar nga hetimet mbi Rusinë

Amerika

Presidenti Trump i irrituar nga hetimet mbi Rusinë

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 08:48
Presidenti Donald Trump

Presidenti Donald Trump po fajëson hetimet mbi Rusinë për rezultatet shumë të dobëta në anketat e popullaritetit. Kritikat e tij të fundit vijnë në një kohë, kur pritet që prokurorët të bëjnë të ditura informacione mbi ish-menaxherin e fushatës së zotit Trump, Paul Manafort si dhe ish-avokatin personal të presidentit, Michael Cohen.

Në një postim dje në Twitter, presidenti fajëson atë që e cilëson si “gjueti e sajuar shtrigash” për rezultatet e dobëta në anketat e popullaritetit që aktualisht luhaten në 43%.

Më parë presidenti e ka sulmuar hetimin mbi Rusinë si të dëmshëm për vendin:

“Në këto hetime janë shpenzuar miliona e miliona dollarë dhe nuk po arrihet një konkluzion. U nis për të hetuar a kishte bashkëpunim të fshehtë. Nuk ka pasur. Mendoj se hetimi është shumë i dëmshëm për vendin. Është për të ardhur keq”.

Pritet që prokurorët të nxjerrin sot hollësi të reja mbi dëshmitë e rreme që u ka dhënë hetuesve federalë ish-menaxheri i fushatës Trump, Paul Manafort, gjë që përbën shkelje të marrëveshjes për zbutje ndëshkimi.

Pritet të dalin hollësi edhe mbi marrëveshjen që ka arritur me hetuesit ish-avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen.

Hetimet që drejtohen nga Prokurori Special, Robert Mueller duket se po intensifikohen, thotë analisti Doug Spencer.

“Mendoj se ky ishte që në fillim synimi, pra të zbulohej nëse kishte pasur lidhje mes fushatës së zotit Trump dhe aktiviteteve të rusëve. Pyetja tjetër është nëse Presidenti Trump si individ luajti ndonjë rol”.

Në fillim të javës, prokurorët rekomanduan që Michael Flynn, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare për zotin Trump të mos ndëshkohej me burgim, si shpërblim për bashkëpunimin me trupin hetimor.

Kjo nënkupton se hetimet janë ende larg përfundimit, thotë analisti Chris Edelson:

“Nuk kanë përfunduar dhe nuk do të përfundojnë së shpejti. Do të ketë edhe më. Do të dalin hollësi të tjera. Do të dalin aktpadi të tjera, do të ketë të tjerë që do të bashkëpunojnë dhe do të mësojmë se çfarë informatash po ofrojnë”.

Hetimet mbi Rusinë mund të arrijnë pikë kulmore kur presidenti të fillojë fushatën për rizgjedhje, thotë analisti Tom DeFrank.

“Mueller përbën problem për Presidentin Trump. Presidenti e di këtë, prandaj po e ngre zërin. Këto zhvillime nuk janë në interes të presidentit dhe do të mësojmë edhe më shumë në javët në vazhdim”.

Gjenerali në pension, Michael Flynn do të marrë dënimin këtë muaj, pasi ka pranuar fajësinë për dëshmi të rreme ndaj hetuesve, lidhur me bisedat që ka zhvilluar me ambasadorin rus./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat